E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër vjet pa trofe, anglezët s’e duan më Benitez

LONDER- Kur mbetet edhe një javë për t’u luajtur në Premier Ligë, e ardhmja e Rafa Benitez duket tashmë e vendosur, Juventusi në Serinë A italiane. Tekniku spanjoll ka mbyllur sezonin e katërt pa trofe në krye të Liverpulit dhe largimi në merkaton e verës mund të quhet që tani një fakt i kryer, duke parë edhe prishjen e raporteve me krerët e Liverpulit. Benitez ka shpenzuar rreth 230 milionë stërlina dhe ka blerë 105 futbollistë në katër vitet e fundit. Këto shifra deri diku të sikletshme nuk janë pritur mirë as nga presidenti i sapozgjedhur Martin Brouton, duke parë se kjo skuadër nuk ka fituar as një trofe në 4 vjet. Ndërkohë edhe mediat nuk duken më në krahun e spanjollit, duke parë sezonin tepër zhgënjyes për skuadrën legjendare të Anglisë. Benitez me shumë gjasa do të jetë trajneri i Juventusit duke nisur që nga java e ardhshme, ndërkohë që mbetet për t’u zgjidhur problemi i kontratës që e lidh atë me Liverpulin. Ai kërkon të largohet duke marrë edhe një bonus të mirë parash, pasi ka një kontratë të majme, ndërsa të kuqtë kërkojnë edhe ndihmën e Juventusit për ta bërë një gjë të tillë. Sipas të përditshmes Times, italianët i ofrojnë trajnerit spanjoll një kontratë prej 16 milionë stërlinash për 4 vjet, ndërkohë që The Sun shkruan për 20 milionë stërlina në 3 vjet, duke përfshirë edhe bonusin që atij duhet t’i jepte Liverpuli. Sidoqoftë, tashmë ka pak dyshime se Rafa Benitez do të jetë trajner i Zonjës së Vjetër në Itali.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›