Roma-Inter, masa të larta sigurie për finalen e Kupës
ROME- Të mërkurën luhet finalja e Kupës së Italisë mes Romës dhe Interit, një ndeshje që duke parë rivalitetin në kampionat apo polemikat e lindura pas Lacio-Inter, duket nga më të nxehtat. është kjo arsyeja përse masat e sigurisë në stadiumin “Olimpiko” do të jenë më të forta se zakonisht, me të paktën 600 punonjës stadiumi që do të verifikojnë rregullsinë e biletave dhe të kontrollojnë tifozët, në bashkëpunim me forca të mëdha policie. Autoritetet e ruajtjes së rendit në kryeqytetin italian kanë bërë të ditur se kanë informacione se mes tifozëve të Interit mund të ketë edhe lacialë, me qëllim krijimin e rrëmujave. Ndeshja ndërkohë do të gjykohet nga një prej arbitrave më të mirë të këtij sezoni, Nikola Ricoli. Përsa i përket gjendjes në të dy kampet, Interi ka qëndruar në Romë që pas ndeshjes së të dielës kundër Lacios, duke u stërvitur aty. Por, fitorja me Lacion të dielën, pas një 90 minutëshi ku skuadra kryeqytetase nuk tregoi asgjë, ka rindezur polemikat dhe urrejtjen mes Romës dhe Interit. “Nuk dua të flas për ndeshjen Lacio-Inter, ajo nuk më intereson aspak”, deklaroi Ranieri në prag të finales së Kupës. Në lidhje me incidentet e mundshme, ai është shprehur se publiku i Romës do të tregohet i qytetëruar në këtë ndeshje tepër të ndezur. Përballja mes Romës dhe Interit do të caktojë trofeun e parë në Serinë A italiane. Këto dy skuadra janë në të një betejë të ethshme edhe në kampionat, kur mbeten vetëm 2 javë nga përfundimi.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)