E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët, ndryshime në ligj për kualifikimin



Deputetët e Komisionit të Shëndetësisë sugjeruan ndryshime ligjore për rritjen e kualifikimit të infermierëve. Komisioni zhvilloi dje një seancë dëgjimore me kreun e Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi, si dhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, për statusin e infermierëve nga ku deputetët e komisionit thanë se ndryshimet ligjore për kualifikimin e infermierëve janë të domosdoshme. Gjatë mbledhjes, kryetari i Urdhrit të Infermierit theksoi rëndësinë që ka kualifikimi i infermierëve. Ai tha se ka një rritje të numrit të infermierëve të diplomuar me arsim të lartë, që shërbejnë në sistemet spitalore në mbarë vendin. Skënderi tha se është kërkuar që të bëhet ekuivalentimi i diplomave të infermierëve. “Kemi propozuar që infermierët me mbi 20 vite eksperiencë, edhe pse më shkollë të mesme, nuk duhet të japin praktikën por vetëm teorinë në specializimin e tyre”, tha Skënderi. Kreu i Urdhrit të Infermierëve vuri në dukje se për formimin bazë të infermierëve janë bërë edhe testime në bashkëpunim me Fakultetin e Infermierisë. Në mënyrë të veçantë, ai u shpreh se do të përcaktohen norma të reja, sipas të cilave pas mbarimit të studimeve të larta, infermierët do të kenë të drejtën e praktikës e më pas do të marrin të drejtën për të punuar. Kreu i Komisionit, Tritan Shehu, tha se duhet hartuar një strategji e veçantë për infermierët, për kualifikimin e tyre. Në vijim të diskutimeve, anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, theksuan rëndësinë që ka hartimi i një strategjie për kualifikimin e vazhdueshëm të infermierëve, në kuadër të të rejave më të fundit që dalin nga shkenca dhe mjekësia. Ata kërkuan sanksione konkrete ligjore për rritjen e nivelit të profesionalizmit të infermierëve. Sipas tyre, nëse hartohet një strategji e veçantë, hapet rruga për kualifikime shkencore të kushteve më të mira të krahasuara me vendet e Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›