E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet greva e urisë, hiqen çadrat në bulevard



Aristir Lumezi

Socialistët i dhanë fund dje grevës së urisë në ditën e 19 të saj. Nga 202 grevistë të urisë që u ngujuan përpara godinës së kryeministrisë në 30 prill, 66 prej tyre përfunduan në spital dhe vetëm 12 deputetë rezistuan deri mbrëmë kur iu dha fund grevës. Për grevistët vendimi për përfundimin e grevës së urisë erdhi fare papritur, ndërsa pak njerëz brenda çadrës e morën vesh se çfarë ishte biseduar në kancelaritë diplomatike. Madje, gjatë mitingut të pasdites, ku para çadrës së grevës së urisë kishin mbërritur qytetarë nga Shkodra dhe Lezha, vetëm kreu i G99 po u thoshte qytetarëve dhe grevistëve nga mikrofoni i mitingut se ditët e grevës kishin qenë një sakrificë e madhe për të gjithë që ia kishte vlejtur për shkak se po hapej një faqe e re. Këto fjalë për ata që kishin dijeni rreth disa telefonatave dhe takimeve me ambasadorët e huaj në Tiranë, ishte konfirmim i një lajmi që ende nuk ishte kryqëzuar nga tre burime për të qenë i vërtetë. Ndërsa grevistët e urisë shihnin njëri-tjetrin dhe ende nuk po kuptonin se çfarë do të thoshte Veliaj me fjalët e tij, pasi askush nuk kishte folur për këtë gjë, ndërsa thashethemi i ri në çadrën e “blinduar” nuk kishte si të arrinte. Por atyre nuk u kishte shpëtuar nga vëmendja vizita e beftë e kryetarit socialist Edi Rama gjatë kohës që flisnin në podium politikanë të së majtës, kur kishte takuar vetëm Erion Veliajn dhe kishte folur me të kokë më kokë.
Lajmi
Deri në mesdrekë vonë në rrethet politike përflitej për gjetjen e një zgjidhjeje dhe arritjen drejt një marrëveshjeje në ato kushte siç ishte artikuluar gjatë këtyre ditëve nga Edi Rama, hetim të kutive të materialeve zgjedhore. Kjo përforcohej dhe nga fakti se në grupin e PS ishte folur për një letër porosi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por dhe mesazhi i dhënë nga një ekspert i KE-së që kishte mbërritur në Tiranë. Por ndërsa ky lajm qarkullonte, nga ana tjetër, PS vazhdonte përgatitjet për protestën e pasdites dhe mobilizimin e deputetëve dhe mbështetësve që do të hynin në grevën e re të urisë, të cilët do të zëvendësonin grevistët aktualë. Por pak e nga pak, nga nisja e mitingut të protestës, i cili nisi më me vonesë se herët e tjera, dhe kontaktet deri në orët e vona të pasdites me ndërkombëtarët e më pas fjala e Erion Veliajt, nisën të qartësojnë se në fund kishim një rezultat dhe çadrat natën vonë do të paloseshin për tu magazinuar, ndërsa grevistët do të dilnin prej tyre si fitimtarë. Vetë Edi Rama e cilësoi të suksesshme grevën duke u shprehur pas saj se “greva e arriti qëllimin”. Por mesazhi që i duhej përcjellë grevistëve, por dhe protestuesve duhej të ishte konciz dhe aspak euforik, pasi sapo kishte nisur të zgjidhej kriza, ndërsa firmat përfundimtare të paktit do të hidhen vetëm sot në Strasburg para evropianëve. Kjo i bëri që për rreth 20 minuta pas mbarimit të fjalimeve, grevistët dhe protestuesit të prisnin me ankth Edi Ramën, të bënte mbylljen e kësaj greve 19 ditore dhe mesazhin me të cilin ajo do të mbyllej. Rama ishte shumë i kujdesshëm në fjalën e tij, e vuri theksin tek kontributi që duhet të japin socialistët në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit, pa përmendur asnjëherë fjalën magjike të këtyre ditëve, “kutitë”. Kërkesat prej gjashtë pikash e komitetit të grevës, që përfshinte jo vetëm hapjen e kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore e deri tek zbardhja e vrasjes së deputetit socialistë Fatmir Xhindi, nuk u përmendën dje në mbyllje të grevës. Pas fjalës së Ramës, grevistët fitimtarë, të cilët u falënderuan dhe nga kreu i PS, nisën të lenë çadrën të rrethuar nga shumë mbështetës, familjarë, dhe të mbuluar nga lulet që simpatizantët u hidhnin. Të lodhur e të dobësuar nga mungesa e ushqimit prej 19 ditësh por dhe komplikacionet me shëndetin që patën gjatë këtyre ditëve, ata falënderonin për mbështetjen dhe u përgjigjeshin gazetarëve të televizioneve që transmetonin live këtë moment.

Deputetët e grevës
Nga 23 deputetë që nisën grevën e urisë në 30 prill vetëm 11 prej tyre e lanë grevën, ndërsa shumica e tyre qëndroi deri në fund të saj. Por situata shëndetësore e tyre ishte rënduar dy ditët e fundit, madje dje nga çadra e grevës së urisë dolën gjashtë persona, mes të cilëve dhe deputeti i Vlorës, Eltar Dede, i cili që në nisje ishte nën kurimin e ulçerës, situatë që u rëndua gjatë 19 ditëve të saj, pa ushqim dhe pa kurim të sëmundjes. Edhe Blendi Klosi, i cili vuan nga diabeti nuk arriti të rezistonte deri në fund për shkak të komplikacioneve me shëndetin. Ndërsa dy ditë më parë dolën dhe deputetet e fundit femra, Ligori dhe Xhaçka.

Klosi vjen në protestë
Blendi Klosi nga spitali u kthye dje në mitingun e protestës. Paradite deputeti socialist ishte vizituar në spital nga kreu socialist Edi Rama, i cili vizitoi nga ana e tij dhe deputetë dhe grevistët e tjerë që u larguan nga çadra dy ditët e fundit. Gjendja e Klosit kishte ardhur duke u përmirësuar dhe pse mjekët kishin kërkuar që ai të niste mjekimin dhe për mëlçinë. Njeriun që sakrifikoi dhe rrezikoi shëndetin e tij në të, nuk mund të mungonte në momentet e mbylljes së saj, një grevë që ia kishte arritur qëllimit të saj. Po ashtu nga spitali kishin ardhur dje në çadër që të mos mungonin në këto momente dhe Robert Lili, Ermonela Felaj dhe grevistë të tjerë.

Karafila për grevistët
Njerëz të shumtë, mbështetës dhe simpatizantë të protestave dhe grevës së urisë i kanë përshëndetur grevistët që dilnin nga çadra e grevës me karafila. Një breshër karafilash ranë mbi kokat e tyre në shenjë falënderimi për sakrificën e bërë, ndërsa kjo shfaqje nuk ishte asgjë para qindra buqetave me lule që atyre u çuan gjatë 19 ditëve në grevë. Nga të gjitha qytetet e vendit, por dhe nga jashtë shtetit çdo ditë në çadër mbërrinin buqeta me lule në mbështetje të grevistëve. Vetë grevistët i ruanin me shumë kujdes ato, ndërsa e kishin kthyer çadrën e ngujimit në një serë me lule shumëngjyrëshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›