E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Kathimerini' dhe 'Reuters': TAP do të sjellë gazin në Evropë. Reagon Berisha

Gazsjellësi TAP është zgjedhur nga konsorciumi “Shah Deniz 2” për të transportuar gazin e Azerbajxhanit në Evropë. 

Pas një takimi që kryeministri Antonis Samaras pati paradite me përfaqësuesit më të lartë të konsorciumit “Shah Deniz”, është bërë e ditur jo zyrtarisht se TAP është i përzgjedhuri i tyre. 

Gazeta më e madhe greke “Kathimerini” njoftoi në titullin kryesor se Samaras ka pohuar që TAP është gazsjellësi i cili do të transportojë gazin azer në Evropë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. 

Sot pasdite qeveria greke do të nënshkruajë marrëveshjen me TAP. Marrëveshja do të nënshkruhet për qeverinë greke, nga ministri i Financave, Janis Sturnaras dhe Ministri i Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit të Klimës, Makis Papageorgiu, ndërsa nga ana e TAP prej Drejtorit Menaxhues, Kjetil Tungland.

Ndërkaq edhe agjencia Reuters njofton se “Projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP) është zgjedhur nga konsorciumi Shah Deniz nga Azerbajxhani për të bërë përçuesin e gazit nga Deti Kaspik në Evropë. Reuters citon Nabucco West, konsorciumin e OMV, që njofton se projekti i tyre nuk është përzgjedhur për të bërë transportuesin e gazit që do të kalojë nëpërmjet Greqisë, Shqipërisë dhe më tej në Europën Perëndimore.

"Projekti Nabucco West nuk është përzgjedhur nga konsorciumi", thuhet në një deklaratë të OMV-së. "OMV synon të luajë një rol në sigurimin e mëtejshëm dhe diversifikimin e furnizimit me gaz në Evropë dhe do të vlerësojë alternativa për të plotësuar rrugët ekzistuese të furnizimit."

Megjithatë, njoftimi zyrtar për përzgjedhjen e gazsjellësit pritet të bëhet të premten në datën 28 qershor.

Gazsjellësi TAP do të ketë një kapacitet 10 mld metra kub në vit për të shkuar në kapacitetin 20 miliardë duke shtuar dy kompresorë në Serres (Greqi) dhe një në kufirin shqiptaro-grek. Gjatësia në total e tij do të jetë 870 km, 550 km në Greqi, 205 km në Shqipëri 110 km në detin Adriatik dhe vetëm 5 km në Itali. Pika më e lartë ku do të kalojë do të jetë 1800 metra në Shqipëri dhe thellësia 810 metra në detin Adriatik.

BERISHA: PROJEKTI I SHEKULLIT PËR NE
TIRANË/ ORA 15:55 “Të dashur miq, projekti i gazësjellësit TAP u përzgjodh. Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit për ne!!!”. Është ky reagimi i kryeministrit Berisha pasi gazësjellësi TAP u përzgjodh nga konsorciumi “Shah Deniz 2” për të transportuar gazin e Azerbajxhanit në Evropë.

Kryeministri përshëndeti projektin TAP, në faqen e tij personale në “Facebook”. Ky është reagimi i dytë i Berishës, pas një vizite ngushëllimi në ambasadën e Hungarisë në Tiranë, për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit hungarez Gyula Horn.

Ndërkohë, që pritet më shumë vëmendje dalja e tij dhe reagimi zyrtar për rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit që flet për një humbje të koalicionit të djathtë dhe fitore të koalicionit të majtë. 
(BalkanWeb)
Lidhje te tjera Konsorciumi Shah Deniz II refuzon projektin ''Nabuco West''

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›