E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i Brukselit - Shqipëria dhe Kroacia, kampione të reformave

Sot publikohet progres-raporti i Komisioni Evropian për Ballkanin, ku Shqipëria dhe Kroacia vlerësohen si kampione në ndërmarrjen e reformave të thella. Vlerësime pozitive për rritjen ekonomike, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe kursin e reformave në ekonomi e rend. Kritika për bllokimin e reformës në drejtësi dhe vonesat në reformën zgjedhore, ndërkohë që paralajmërohet nisja e dialogut për heqjen e regjimit të vizave, sapo të nisë shpërndarja e pasaportave biometrike

Sot publikohet progres-raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti i Komisionit Evropian njeh dhe vlerëson arritjet e vendit tonë.
Në këtë raport, kopje të të cilit do t’i dorëzohen edhe drejtuesve të lartë të shtetit, përfshihet puna, arritjet dhe rezultatet e Shqipërisë, që janë bërë gjatë këtij viti.
Burime pranë delegacionit të KE-së në Tiranë bënë të ditur dje se Shqipëria ka marrë notat më pozitive në këtë raport për sa u përket disa arritjeve, duke marrë së bashku me Kroacinë vlerësimet më të larta në rajon, ndërkohë që Maqedonia pritet të regjistrojë regresin më të fortë.
Sipas të njëjtit burim, mësohet se, Shqipëria lavdërohet për punën e saj në rritjen ekonomike, luftën ndaj krimit të organizuar si dhe në efikasitetin në luftën ndaj korrupsionit.
Kritikat e Shqipërisë pritet të jenë mosrealizimi i plotë i reformave në Drejtësi dhe mospërfundimi i asaj Zgjedhore, për të cilat një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi opozitën. Një kritikë për Shqipërinë pritet të jetë edhe mungesa e rezultateve në luftën ndaj varfërisë.
Raporti pritet të kërkojë e rekomandojë më shumë punë nga politika dhe parlamenti për kalimin e reformave të rëndësishme si ajo e Drejtësisë dhe ajo Elektorale. Shqipëria duhet t’u kushtojë më shumë energji përpjekjeve për të krijuar një shërbim civil të pavarur, efikas, dhe që bazohet mbi meritokracinë.
Nga ana tjetër, burime të KE-së në Tiranë, evidentojnë faktin që vendi ynë ka bërë përparim në përafrimin e legjislacionit, politikave dhe aftësimeve drejt standardeve Evropiane dhe në përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjeve të ndërmjetme. Megjithëse në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, Shqipëria ka pasur përmirësime, sikurse bën fjalë raport-progresi, këto përmirësime nuk janë njësoj në të gjitha drejtimet prandaj Komisioni Evropian gjykon se ka nevojë për përmirësime të përgjithshme.
Lidhur me procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave, Komisioni Evropian, duke vlerësuar përfshirjen e Shqipërisë në dialogun për liberalizimin e vizave, këshillon që ajo të fillojë të lëshojë sa më shpejt pasaportat biometrike.
Komisioni Evropian pranon se Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres për të çuar përpara demokratizimin dhe shtetin e së drejtës, por kritikohet për mungesën e dialogut mes partive politike.
Progres raporti, për Shqipërinë, i Komisionit Evropian prej rreth 160 faqesh, që përfshin punën që është bërë gjatë këtij viti, pritet të publikohet sot.
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë Helmut Lohan pritet të takohet sot rreth mesditës me Kryeministrin Sali Berisha ku do ti dorëzojë progres raportin për Shqipërinë. Ambasadori Lohan do ta dorëzojë këtë raporte edhe tek krerët e tjerë më të lartë të shtetit. Një kopje e progres-raportit do i dorëzohet Presidentit të Republikës Bamir Topi, si dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli.
Më pas gjatë orëve të pasdites, Lohan do të bëjë publik raportin për mediat gjatë një konference për shtyp, e cila pritet të mbahet pasdite.
Njëkohësisht pritet që po sot, komisionari i Zgjerimit Oli Rehn të japë një konferencë për shtyp për të gjithë median ndërkombëtare në lidhje me këtë progres raport.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›