Erion Veliaj, debatikasi i Edvin Ramës, po bën tualetin e disfatës që PS pësoi me mocionin ndaj kryeministrit

“Të përpiqesh të zhurmosh nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ftesën e Shqipërisë në NATO, votën e Senatit të Shteteve të Bashkuara, firmën e Presidentit George W. Bush, rritjen e rrogave dhe pensioneve, apo ndërtimin e mijëra km rrugë, është betejë e humbur që në start dhe tregon që je vite dritë larg reales”
Partia Demokratike ka ironizuar dje përpjekjet e zbehta të socialistëve dhe debatikasve që shoqërojnë Ramën, pas disfatës që pësuan me mocionin debat ndaj kryeministrit Berisha të hënën në seancë plenare në kuvend. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, deklaroi dje se Rama nxori nënkryetarin e Partisë Socialiste, Erion Veliaj, për të zhurmuar disfatën e thellë dhe totale në të cilën ai vetë, me imagjinatën e tij të sëmurë, e zhyti grupin Parlamentar të Partisë Socialiste me mocionin e seancës të së hënës.
“Pasi deputetët e tij, dështuan me analizën e tyre tragji-komike të marrëdhënieve Shqipëri – Jugosllavi të viteve ‘50, Rama nxori debatikasin e tij për të bërë tualetin e disfatës së thellë që atë e pësuan”, tha Bogdani.
Zëdhënësi i PD, vuri në dukje se “të përpiqesh të zhurmosh nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ftesën e Shqipërisë në NATO, votën e Senatit të Shteteve të Bashkuara, firmën e Presidentit George W. Bush, rritjen e rrogave dhe pensioneve, apo ndërtimin e mijëra km rrugë, është betejë e humbur që në start dhe tregon që je vite dritë larg reales”.
“Të përpiqesh t’i maskosh me zhurmën e Erionit, është thjeshtë naivitet, pasi Veliaj e ka shprehur publikisht antishqiptarizmin e tij kur shkruante vetëm një javë pas vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri, artikullin me titull ‘Washingtoni nuk duhet të gënjehet nga pritja shqiptare e Bush’”, deklaroi Bogdani.
...