E Diel, 1 Nëntor 2026

Katolikët e Shkodrës: Martesat gay çorodisin familjet

Martesat gay / Pas deklaratës së Kryeministrit, Dom Gjovalin Sukaj kërkoi nga krerët e vendit që të reflektojnë


SHKODËR - "Kërkojmë nga ata që kanë në dorë fatet e vendit tonë, të reflektojnë para se të marrin vendime që çorodisin familjet". Ka qenë ky reagimi i klerit katolik në Shkodër, pak ditë pas deklaratës së Kryeministrit të vendit se ishte pro martesave të çifteve të të njëjtit seks.


Dom Gjovalin Sukaj, famullitari i Shkodrës, në meshën e shenjtë të zhvilluar të dielën, ku edhe kurorëzoi një çift të rinjsh, u prononcua për deklaratat e kreut të qeverisë, Sali Berisha. Teksa lidhte në martesë dy të rinj, famullitari tha se "kërkojmë nga personat që kanë në dorë fatet e vendit tonë, që të reflektojnë para se të marrin vendime që çorodisin familjet".


Dom Gjovalin Sukaj, i nxitur dhe nga detyrimi ndaj komunitetit, në momentin e celebrimit të meshës ka shprehur qëndrimin e tij personal dhe njëherazi të kishës së Shkodrës, lidhur me propozimin e Kryeministrit Sali Berisha për miratimin e një ligji që do të lejonte martesat e personave të së njëjtës gjini.


Një gjë e tillë u cilësua si çoroditje e familjeve nga famullitari, i cili kërkoi që personalitetet e vendit të jenë më të kujdesshëm në deklaratat që japin dhe vendimet që marrin. Reagimi i klerit katolik të Shkodrës vjen dy ditë pas reagimit të myftiut të këtij qyteti, Ndriçim Sulejmani.


Lidhur me propozimin e Kryeministrit Berisha, për lejimin e martesave brenda së njëjtës gjini, myftiu tha se ai binte ndesh me parimet e fesë islame dhe, si i tillë, nuk mund të pranohej. Kreu i qeverisë u shpreh pro martesave të homoseksualëve, duke e cilësuar një veprim të tillë si një kërkesë për hyrjen në Bashkimin Evropian, si dhe duke u bazuar në një projektligj të propozuar nga shoqërie civile.


Në fakt, kjo e fundit ka propozuar një projektligj kundër diskriminimit, por ku nuk përmenden martesat mes njerëzve të së njëjtës gjini, propozim i vetë Kryeministrit të vendit.


Shprehja pro këtyre martesave nga kreu i qeverisë ka sjellë reagime të ashpra nga kleri katolik, ortodoks e mysliman, si dhe nga personalitete, nisur edhe nga fakti se Shqipëria rezulton një vend ku mbi 80% e njerëzve janë kundër homoseksualëve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›