E Diel, 1 Nëntor 2026

Akti normativ, varrezat e makinave larg rrugëve kombëtare

Qeveria ka ndërmarrë nismën për spostimin e varrezave të makinave nga akset e rrugëve nacionale. Përmes një akti normativ që është botuar dje në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave kërkon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë akt, ndalohet krijimi i vendgrumbullimeve dhe grumbullimi i mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim. Kështu, sipas këtij akti, pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që nuk plotësojnë kërkesën brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e tij e këtij akti, duhet t’i largojnë, me shpenzimet e veta, nga vendndodhja e tyre aktuale këto mjete. Ato mund t’i rivendosin në vende të tjera, të lejuara dhe të autorizuara për këtë qëllim, duke zbatuar edhe kërkesat e tjera ligjore për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Në rast të kundërt, Inspektorati i Mjedisit, kur konstaton shkeljen e kërkesave dhe afateve, vendos konfiskimin e mjeteve motorike, të rimorkiove, si dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen në këto vendgrumbullime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›