E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kauzat e përkohshme

Skënder Minxhozi 

Në fillim (dhe me fillim nënkuptohet jo lindja e Krishtit, por viti 2005) e keqja quhej Fatos Nano. Katër vjet më vonë ajo quhet Edi Rama. Kjo është litania e vjetër dhe e re që këndojnë me vete në LSI, sa herë që bie fjala për ish-partinë e përbashkët. Sepse tani që nga mitingu i përmortshëm i Kosta Trebickës ka mbetur vetëm shija e hidhur e një lufte parullash, mund të thuhet se gjithçka është kthyer si më parë. Shumë e lehtë për t’u parashikuar, ajo shfaqje publike së bashku, por me kokën e kthyer mënjanë, s’ka sjellë asnjë element të ri në afrimin mes dy forcave kryesore të opozitës, që vijojnë stinën e luftës së ftohtë.
Për t’u rikthyer tek problemi i kauzave, ose më mirë i motiveve për ta mbajtur gjallë këtë mëri mes palëve, mund të shihet jo pa një farë habie dhe dëshpërimi, sesa “shqiptarisht” është e ndarë opozita e sotme. Kur Lëvizja Socialiste për Integrim shpalli programin e saj politik, nuk harroi të shtojë, çka vazhdon ta bëjë edhe sot, se ajo ishte një forcë politike që kërkonte të vijonte traditën e socialistëve. Pra, politikisht dëshironte të ishte pjesë e “mollës” së ndarë pas zgjedhjeve të 2005-ës. Problemi kryesor që motivonte qenien veç PS-së, ishte prezenca e Nanos në krye të PS-së. Dhe me ikjen e këtij të fundit në shtator të po atij viti, edhe për shumë muaj, motivi i antagonizmit ndaj socialistëve vazhdoi të jetë “nanoizmi”. Një term i shpikur nga komoditeti i debatit të momentit, më shumë sesa nga arsye të thella dhe të prekshme. Në fakt, lidershipi i LSI-së ka pasur më shumë sesa një flirt me ish-kryetarin e vjetër vite të shkuara, duke ndarë me të qeveri, ministra e zyrtarë gjithfarësh. Madje, këtij pazari shumëkush i shton sot edhe stinën e mjaltit të vitit 2002, kur tryezës së liderëve socialistë, ku bënin pjesë edhe figurat qendrore të LSI-së së sotme, iu shtua papritur edhe Berisha, prej nga doli një president republike dhe një prokuror i përgjithshëm.
Ndryshimi i konjukturës politike në kokën e PS-së, ardhja në pushtet e Berishës dhe mbi të gjitha, zgjedhja në krye të socialistëve e Edi Ramës, duket se shtroi përballë LSI-së nevojën urgjente të gjetjes së një tjetër kauze për luftë dhe sherr. Nano nuk ishte më një faktor me peshë që nga vjeshta e 2005-ës dhe të gjitha shigjetat duheshin drejtuar kundër pasardhësit të tij. Klima agresive që kultivon sot LSI kundër PS dhe sidomos kundër Ramës, është produkti i kësaj kauze të re, e cila në mënyrë të sforcuar mundohet të krijojë në publik psikozën e një aleance të përbashkët Berisha-Rama, e cila po minon demokracinë, po ndryshon natën ligjet e shtetit dhe po vjedh ditën për diell pasurinë e shqiptarëve.
Janë të gjitha gjasat që edhe kjo kauzë e dytë të ketë fundin e të parës. Madje, shumë kohë para se Rama të ikë nga partia, ashtu siç bëri Nano katër vjet më parë. Nënshtrimi i një lideri politik ndaj kundërshtarit, të cilit natyrshëm kërkon t’i marrë postin dhe pushtetin, është një përrallë e vështirë për t’u besuar dhe mbështetur. Që Rama të ketë më për zemër pazaret e momentit me Doktorin, ndërkohë që vetëm pas disa muajsh do të ftojë dy milionë zgjedhës që t’i japin votën për të larguar pikërisht Doktorin nga qeverisja, ky është një arsyetim thjeshtë i gabuar dhe abuziv. Dy krerët kryesorë të një harku politik, dy përfaqësuesit qendrorë të alternativave për pushtetin (dhe PD e PS janë sot të tilla), nuk mund të akuzohen në asnjë rast për nënshtrim ndaj njëri-tjetrit, mbyllje të gojës apo topitje të luftës politike. Për definicion kjo është e pamundur të ndodhë. Edi Rama ka treguar që është aq ambicioz, saqë të mos bëjë pakt me Berishën, kur në lojë është posti që mban sot ky i fundit. Edhe batutat e para të fushatës që po nis të shfaqet, e hedhin poshtë kryekëput pretendimin e një afere të fshehtë mes dy liderëve politikë të pozitës dhe opozitës. Është diçka tjetër të ulesh me kundërshtarin e të shkruash rregullat e lojës, e kjo që po ndodh sot me ndryshimet kushtetuese apo Kodin Zgjedhor ose Reformën në Drejtësi, nuk është as fundi i botës dhe aq ndonjë gjë e paparë në këtë vend.
Kur fushata elektorale të ketë ndezur motorët dhe kur nga tribunat në të gjitha cepat e këtij vendi, politika shqiptare të nisë të shahet siç di ta bëjë vetëm ajo, atëherë do të kuptohet se këtu nuk ka asnjë pazar, por vetëm një lojë të madhe pushteti. Në të cilën si Rama, si Berisha, si Meta, janë në të drejtën dhe interesin e tyre legjitim. Pazaret e pretenduara këto ditë janë vetëm një kauzë politike e përkohshme, që do të duhet ndërruar shumë shpejt. Gjithnjë, nëse lufta e sotme para zgjedhjeve, nuk kthehet në ndonjë stinë paqeje e dashurie, pasi në tryezë të jetë vënë torta e pushtetit. Të gjitha opsionet janë të hapura, “jetojmë në Tironë”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›