E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Më theri nënën", vret nusen e xhaxhait

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Vret nusen e xhaxhait pasi e akuzon për vdekjen e së ëmës 2 muaj më parë. Krimi brenda familjes ka tronditur lagjen "Kape-dani" në Laç të Vaut të Dejës. Marie Mbrozi, 57-vjeçe  është qëlluar për vdekje nga nipi i burrit, Anton Mbrozi, 35 vjeç, vetëm 1 javë pasi ishte kthyer nga Greqia. Gjatë kësaj kohe ai e akuzonte viktimën, e cila ishte e para që gjeti nënën e moshuar të pajetë, bashkë me infermieren e lagjes dhe shoferin e ambulancës se ishin ata autorë të krimit. Dhe për këtë arsye, sipas tij, ka marrë hak, në sy të 4 fëmijëve të vet të mitur.
Vrasja
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:30 të paradites së djeshme, duket pas një plani të mirorganizuar nga autori. Gjatë ditëve që ishte kthyer nga Greqia ai e kishte akuzuar nusen e xhaxhait si vrasëse, ndonëse ajo ishte përpjekur t'i shpjegonte se të ëmën ia kishte gjetur të vdekur. Dje, Mbrozi i ka thënë gruas së tij që të shkojë e ta thërrasë Marien, nusen e xhaxhait të tij, pasi donte të pinte një kafe si dhe për të diskutuar për diçka. E shoqja e Antonit pa e ditur se çfarë kishte në mendje bashkëshorti i saj është nisur tek Maria që jetonte pranë tyre dhe e sjell atë në shtëpi. Por gjatë kësaj kohe, Antoni, i cili e ka parapërgatitur çdo gjë me shpejtësi ka marrë pistoletën, e ka mbushur dhe sapo ka hyrë 57-vjeçarja në shtëpinë e tij e ka qëlluar atë 3 herë, duke e lënë të vdekur në vend. Në momentin që Mbrozi ka qëlluar nusen e xhaxhait të tij, brenda në banesë kanë qenë bashkëshortja e tij dhe fëmijët e mitur. Pas këtij veprimi, 35-vjeçari është larguar menjëherë nga shtëpia për në drejtim të paditur duke u fshehur nëpër kodrat e zonës. Vetë gruaja e autorit ka njoftuar të afërmit për ngjarjen e rëndë e më pas edhe policinë. Maria Mbrozi ka gjetur vdekjen brenda pak minutash, si rezultat i plagëve të marra.
Hetimet
Sapo është mësuar për ngjarjen forca të shumta policore të komisariatit të Policisë së Shkodrës, si dhe të FNSH-së janë nisur për në drejtim të Laçit të Vaut të Dejës, me qëllim kapjen e autorit. Më pas shërbimet policore kanë marrë masa duke ngritur postblloqe në të gjitha akset rrugore që lidh qytetin me zonat e tjera, me qëllim izolimin dhe kapjen e Mbrozit. Në ambientet e komisariatit është bërë shoqërimi i bashkëshortes së tij, në cilësinë e dëshmitarit okular, pasi ajo ka qenë e pranishme në momentin e kryerjes së krimit. Ndërkohë që nga informacionet e marra në vendngjarje mësohet se të afërmit e viktimës kanë mbetur të shokuar nga një ngjarje e tillë. Sipas tyre, nuk ka mundësi që të ndodhë që një person, e aq më tepër femër të ftohet në shtëpi brenda dhe më pas të vritet, kur Maria nuk ka pasur kurrë më parë konflikte të tjera me autorin e vrasjes Anton Mbrozi. Nga ana e policisë së Shkodrës mësohet se është bërë dokumentimi i plotë ligjor i kësaj ngjarjeje, duke e cilësuar 35-vjeçarin si autor të krimit. Ndaj tij rëndojnë veprat penale të "vrasjes me paramendim" dhe "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve". Sipas hetimeve paraprake mendohet se gjithçka lidhet me vdekjen dy muaj më parë të nënës së autorit Dava Mbrozi e cila gjen vdekjen pasi është gjetur me fyt të prerë. Në lidhje me këtë rast, Policia e Shkodrës ka dhënë deklaratën zyrtare ku shprehej se pas hetimeve të plota të kësaj ngjarjeje, Dava Mbrozi, e cila jetonte e vetme, kishte vrarë veten.

Hetimet, krimi pas vdekjes së nënës

Shkak për këtë veprim të 35-vjeçarit mendohet të kenë qenë akuzat e vazhdueshme të autorit ndaj viktimës, që kanë të bëjnë me vrasjen e nënës 72-vjeçare, Dake Mbrozi. Kjo ngjarje ka ndodhur në muajin gusht, kur e moshuara u gjet e therur me thikë në fyt në banjën e shtëpisë. Policia e Shkodrës në përfundim të hetimeve pati pohuar se Dava është vetëvrarë. Por nuk ka qenë i bindur në deklarimin zyrtar të policisë, Mbrozi, i cili sapo është kthyer nga Greqia ku jetonte prej vitesh ka qenë i bindur se të ëmën ia kanë vrarë ndaj dhe ka vendosur që të hakmerrej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›