Vejusha Hoxha, dëshmi apo denoncim?
Andis Harasani
Në këtë botë, vetëm pushteti i vdekjes është i përjetshëm. Të gjithë pushtetet e tjerë, sidomos ato mbi njerëzit, kanë një përkohtësi ...ngjethëse; ngjajnë pafund kur je nën thundrën e një pushteti, ngjajnë të gjatë sa një çast kur je vetë thundra e tij. Pothuaj 20 vjet mbas rrëzimit të regjimit komunist, dëshmia e një prej simboleve emblematike të tij, vejushës së diktatorit Enver Hoxha, afronte po këtë hendek mes të përkohshmes dhe të përjetshmes, po këtë kontrast të pazakontë.
Një ditë mbas transmetimit të intervistës së saj në televizion, pothuaj të gjitha mediat e shkruara të shtypit shqiptar i kishin afruar faqet kryesore. Pse gjithë ky interesim? Çfarë kishte të re në këtë dalje të rrallë nga heshtja e gruas së fortë, një ish-të burgosure të pluralizmit, çfarë ngjalli kërshërinë e shqiptarëve në fjalët e saj, në sigurinë dhe vetëbesimin e çuditshëm që ajo demonstroi?
Nëse do të ishte gjallë Adolf Hitleri apo Josif Stalini, ata të dy do të ishin subjekte të jashtëzakonshme për kërshërinë e publikut. I pari mund të shpjegonte sipas mënyrës së tij pse kampet e përqendrimit kishin dobi sociale në zgjidhjen përfundimtare dhe çlirimin e botës nga mikrobi hebre, mund të jepte argumente pse duhej shembur Britania e Madhe apo SHBA, pse duhej djegur në zjarr Bashkimi Sovjetik e pse gjermanët duhej të sundonin botën. I dyti do të rrekej të na bënte të besonim se gulagët ishin një profilaksi e detyrueshme për shëndetin e diktaturës së proletariatit, që vrasjet e njerëzve dhe të fjalës së lirë, deportimet e masakrat ishin vaksina për lindjen e rritjen pa probleme të botës së re të revolucionit.
Në rastin shqiptar, kur Enver Hoxha ka 23 vjet që ka vdekur, mund të ketë dhjetëra variante përgjigje për dhjetëra pikëpyetje që ngrihen në këtë drejtim, por të paktën dy momente, besoj, e bënë të pazakontë fjalën e vejushës Hoxha:
E para, nuk mund të pritej prej saj as pendesë dhe as kundërshti për atë çka ajo kishte besuar për më shumë se gjysmë shekulli, e dyta, ajo është ende një çelës për një shumicë sekretesh të mbajtura pezull në këto 20 vjet “antikomunizëm” demokratik.
Interesi për të shkuarën që përfaqëson zonja Hoxha, në thelb është zhgënjimi i thellë për të sotmen që jetojmë, është dëshpërimi pafund që këto 20 vjet nuk mjaftuan që të zhdukej “fantazma e kuqe” që përmendte dikur Marksi dhe që tremb ende sot Evropën me kujtimin e saj të keq, e cila “vërtitet tej e këtej anëve tona”. Në mos në formë, padiskutim në përmbajtje.
Si e tillë, biseda e gjatë me të venë e diktatorit rreket të vërtitet po në këto dy anë të hendekut, mes të shkuarës që e kemi lexuar deri në mërzi në tekstet steriotipe të komunizmit dhe të sotmes sonë, që është e paqartë kryesisht për shkak të personazheve që e kushtëzojnë ende.
E shkuara personalisht më kujton këpucët tona të mjera që fusnin ujë dhe “ëndrrës së komunistëve që na bëri të barabartë në varfëri”, më kujton gjyshin tim komunist që detyroi ndryshimin e bilancit familjar të shpenzimeve: më pak bukë e mish në tryezë, sepse duheshin blerë më shumë ilaçe për sëmundjen e tij, më kujton atë shokun tim adoleshent që vdiq pa fjalë në syprinën e një vagoni të trenit të linjës Tiranë-Durrës, sepse nuk kishim lekë për të prerë biletën e plazhit, më kujton ngazëllimin për autorizimin për tre kilogramë mollë e një kilogram mish më shumë ditën e dëshmorëve. Mund të vazhdohej kështu pafund për të shkuarën duke u ngushëlluar për kishat e xhamitë e restauruara nga regjimi, siç tha zonja Hoxha dhe për të harruar ata qindra klerikë të shkuar në plumb e mbyllur në qeli, siç është e vërteta, për atë gënjeshtër të madhe me fanarin e kuq që na u shndërrua në mjerimin e thellë të të qenurit më fatkeqët e Evropës apo për të folur për “luajalitet” të liderëve komunistë që shndërrohej pastaj në tradhti ndaj vetë Enverit. Të kërkohej më shumë nga zonja Hoxha do të ishte naivitet. Ajo as nuk mund të pendohet, as nuk mund të kërkojë ndjesë për atë çka arkitektoi bashkëshorti i saj. Asaj as nuk mund t’i kërkohet të ndryshojë sot dhe një ndryshim i tillë nuk i hyn kurrkujt në punë. Por nga ana tjetër, ka një moment të një rëndësie të veçantë dhe ai ka të bëjë me dëshminë e saj për të sotmen e këtij vendi.
Një komuniste fanatike tregoi se sot qeverisemi nga një komunist fanatik, ai kujtim i të shkuarës sonë të trishtë na vërtetoi se sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë! ”Berisha nuk i jepte kërkujt dorën që i kishte shtrënguar Enveri, njëlloj si pionierët”, tha pak a shumë zonja Hoxha. Që nuk ndali këtu. Që nuk heshti këtu, por shkoi dhe shumë më tej. Ajo u bashkua me korin gjithmonë e në rritje të shqiptarëve që pyesin se cili është në të vërtetë Sali Berisha. ”Eshtë dhëndri i një agjenteje të UDB-së”, u përgjigj zonja Hoxha, duke thënë kështu vetëm gjysmën e asaj që përmendet hapur sot në Tiranë: është dhe dhëndri i një agjenti të UDB-së dhe të ish-sigurimit të shtetit, d.m.th, një agjent i dyfishtë. Dy gjysma shprehjeje që i bashkohen dhe “thashethemeve” që vlerësojnë sot rolin e familjes biologjike të kryeministrit në aferat më të mëdha kriminale dhe korruptive, duke nisur me Gërdecin, e duke vazhduar dhe me të tjera “histori” që vlerësohen në miliona dollarë me privatizime të dyshimta dhe miqësitë po aq të dyshimta me individë me pasaporta serbe e boshnjake.
Zonja Hoxha foli dhe për hakmarrjen e Sali Berishës; “Nuk e pranova në grupin e mjekëve të Enverit dhe për hakmarrje mua më futi pesë vjet në burg, Enverit i zhvarrosi eshtrat”. Nuk mund të vihet dora në zjarr për këtë lidhje shkak-pasojë, por nuk ta gjen asgjë dorën e vënë në zjarr për faktin që në këto vite në politikë, Berisha është demonstruar si politikani më hakmarrës; është demonstruar si njeriu i pushkatimeve politike për bashkëpunëtorët e tij, është dëshmuar si një nga “vrasësit” e tyre politikë, sipas parimit nazist, kush nuk është me mua, është kundër meje!
Komunizmi ka qenë gjithmonë në gjendje të krijojë mite dhe një nga më të fuqishmit e tij ka qenë miti i armikut, i tradhtarit, i shiturit tek të huajt. Nuk dua ta besoj që një mit i tillë është pjesë e të shkuarës së kryeministrit tonë komunist. Por po kaq e vërtetë është që duke nisur nga e hëna në mbrëmje, çdo minutë heshtje e qytetarit të akuzuar Sali, është mina me sahat që hedh në erë atë kostum borgjez që ai vesh nga mëngjesi në mbrëmje.
Sali Berisha duhet të dalë dhe të përgënjeshtrojë ish-komunistin Sali Berisha, që të hënën në darkë foli me gojën e të vesë së Enver Hoxhës. Dëshmi apo denoncim; zonja Hoxha hesapet e saj me njerëzinë i ka konsideruar të mbyllura, Berisha ka tashmë një hesap më shumë për të dhënë jo vetëm përpara Perëndisë. Në këtë botë edhe gënjeshtra është e përkohshme.