Braun jep dorëheqjen si kreu i laburistëve, ikën në shtator
Gordon Braun njoftoi dje dorëheqjen e tij si kreu i laburistëve, por tha se dëshironte të qëndronte në numrin 10 të “Downing Street” edhe për disa muaj, si pjesë e një marrëveshjeje koalicioni me liberal-demokratët. Pas një fundjave të ngjeshur me bisedime zgjedhore dhe telefonata, Kryeministri britanik njoftoi se lideri liberal-demokrat, Nik Kleg, ka kërkuar zyrtarisht fillimin e negociatave mbi një marrëveshje të ndarjes së pushtetit me laburistët. Braun tha se ai ka rënë dakord me këtë kërkesë, por ka menduar se nuk duhet të drejtojë një koalicion qeveritar për më shumë se sa është e domosdoshme dhe deri në fund të shtatorit laburistët do të kenë një lider të ri. Njoftimi i Braunit erdhi vetëm një orë pas përfundimit të një takimi me liberal-demokratët, ku ka mësuar se marrëveshja e tyre me konservatorët kishte ngecur dhe nevojiteshin sqarime të mëtejshme detajesh për ta çuar përpara atë. Sterlina ra 1 për qind kundrejt dollarit amerikan brenda disa minutash nga deklarata e Braunit, ndërsa investitorët kanë shprehur shqetësimin se tani do të duhet akoma më shumë kohë që Qeveria e re të
nisë shqyrtimin e deficitit buxhetor.