Projekti “Nënë Tereza” fiton “Shqipëria është kulturë”
Projekti “Nënë Tereza”, realizuar nga të rinjtë Florian Salla, Erjet Muçollari, Rojsil Vrapi, Lindar Muçaj dhe Ermir Bilani, u shpall fitues i garës maratonë “Shqipëria është Kulturë”. Përgjatë 5 ditëve nga 6-10 maj në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, u zhvillua finalja e aktivitetit kulturor “Shqipëria është kulturë”. Rreth 400 të rinj nga e gjithë Shqipëria treguan aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të kulturës, prej nga u shpallën edhe të rinjtë fitues, të cilët do të jenë pjesë e një turneu në disa kryeqytete të Evropës, që do të përfundojë në Bruksel, në javën kushtuar kulturës shqiptare. Iniciativa i përket Universitetit Evropian për Turizmin, në bashkëpunim me Bashkinë Fier dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Qëllimi kryesor i këtij evenimenti është afrimi i të rinjve shqiptarë me trashëgiminë e tyre kulturore. Sipas drejtorit artistik të këtij aktiviteti, Agron Xoxa, projekti fitues vlen shumë më tepër se vlera prej 500 mijë lekësh, e cila u dha për fituesit, kjo qoftë edhe për simbolikën që mbart figura botërore humaniste e Nënë Terezës, që do transmetojë edhe në rrugëtimin e fituesve në BE. Ndërkaq, djemtë artistë u shprehën mjaft të kënaqur me çmimin që rrëmbyen, ndërsa thanë se në këtë krijim të tyre ndërthuret shumë bukur një figurë e njohur botërore si Nënë Tereza, me turizmin në vendin tonë, duke qenë se portreti i saj është realizuar pikërisht nga një numër i pafundmë fotosh të shkrepura anë e mbanë vendit. Të pyetur për idenë, 5 djemtë që studiojnë për grafikë në vitin e Katërt në Akademinë e Arteve, pohuan se ishte krejt origjinal. Krahas çmimit fitues, u ndanë edhe të tjerë trofe në fusha të tjera, si kërcim modern, balet, këngë, pikturë, skulpturë, artizanat, aktrim, etj.
Fituesit
KëRCIM MODERN: Grupi Alen
BALET SOLO MODERN: Besmir Sula
VALLE TRADICIONALE: Vashat Shkodrane
KëNGëTARë: Maria Prifti
GRUPE ROCK: Laura
AKTRIM MONOLOG: Liridona Gashi dhe Aida Shkëmbi
PANTOMIMET: Rafael Hoxha
KRIJIMTARI: Esmeralda Sokoli
AKTRIM POEZI: Flavia Myrtaj
INSTRUMENTISTëT: Fabian çesma
PIKTURë DHE SKULPTURë: Emeralda Baha
VEPRA ARTIZANALE: Emiljano Peçi
KONSTELACIONE/ VIDEO/ FOTO/ KLIP: Brilanta Kadillari