E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas divorcit, Lario merr 300 mijë euro në muaj nga Berluskoni



Veronica Lario, ish-bashkëshortja e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, do të marrë një pagë mujore prej 300 mijë eurosh dhe përdorimin e përjetshëm të vilës Macherio. Kjo është marrëveshja që u arrit pas pesë orësh në sallën e gjyqit, për ndarjen konsensuale në Gjykatën e Milanos, mes Berluskonit dhe gruas së tij. Bisedimet për të arritur në këtë marrëveshje po zhvillohen prej shumë muajsh. Me këtë zgjidhje, Kryeministri italian dhe zonja Lario nuk duhet të paraqiten më në sallën e gjyqit në Milano. Sipas gjasave, do të jenë avokatët e tyre që me një prokurë të veçantë do të firmosin ndarjen konsensuale. Veronica Lario kërkoi divorcin rreth një vit më parë, kur paparacët paraqitën foto të Kryeministrit në festën e ditëlindjes së një 18-vjeçareje, për të cilën u aludua se ishte shoqëruese e tij. Më pas mediat nisën të zbulonin njëra pas tjetrës histori skandalesh intime të Silvio Berluskonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›