E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet varr masiv në Serbi, ka rreth 250 shqiptarë të vrarë



Në Serbi është zbuluar një varr masiv, ku gjenden trupat e pajetë të rreth 250 shqiptarëve, të vrarë gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë. Me gjithë sinjalet e shpeshta të dërguara nga Kosova, autoritetet serbe janë shprehur se nuk ka asnjë varr masiv në vendin e sinjalizuar. Por tani u gjet pikërisht në të njëjtat koordinata. Varri masiv është gjetur në jug të Serbisë, në Rashkë dhe lajmin e ka konfirmuar Prokuroria e Serbisë për Krime Lufte. “Falë edhe bashkëpunimit me EULEX-in, kemi identifikuar një varr në afërsi të Rashkës, me rreth 250 trupa. Bëhet fjalë për trupa të shqiptarëve. Kohë më parë, nëse ju kujtohet, para një ose dy vjetësh, është kërkuar ky varr, kemi pasur dëshmitarë që kanë thënë se diku aty mund të gjendet. Por varreza atëherë nuk u gjet. Tani mendojmë se kemi lokacionin e duhur dhe do të bëjmë gjithçka që të kryhen sa më parë çështjet teknike, të nxirren trupat dhe t’u jepen të afërmve”, tha për REL në Beograd zv/prokurori për krime lufte, Bruno Vekariç. Por autoritetet serbe kanë preferuar të mos përfshijnë me akuza policinë dhe ushtrinë e tyre, duke u shprehur se nuk kanë informacione se si kanë përfunduar trupat aty. EULEX-i ka konfirmuar se ka shkëmbyer informacione me autoritetet e Serbisë në lidhje me varrezat e mundshme masive. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, që njëherësh drejton takimet e komisionit qeveritar për të pagjeturit, tha se “informacioni për këtë varr masiv ka ekzistuar kohë më parë, por pala serbe asnjëherë nuk ka gërmuar në vendin e duhur”. Ai ka akuzuar organet e shtetit, ushtrinë dhe policinë e atëhershme serbe për krimet, dhe tha se numri i trupave mund të jetë nga 200 në 450. “Të gjitha krimet që janë bërë, janë bërë nga organet e shtetit serb, nga ushtria, policia, në bashkëpunim me paramilitarët. Ka pasur evidenca të sakta dhe të gjitha informacionet që i kërkojmë që 11 vjet, pritet të vijnë më në fund nga pala serbe”, tha Manaj. Zbulimi i varrit masiv nga autoritetet e Serbisë u mirëprit nga kryetari i Asociacionit të Familjarëve të Pagjetur, Haki Kasumi. Por ai tha se administrata shtetërore serbe e ka tërë informacionin për krimet e bëra në Kosovë. “Kjo është vetëm një lojë për të freskuar opinionin me informacion, apo për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se janë bashkëpunues. Për ne kjo është lojë e zakonshme e Serbisë, pasi ata posedojnë të gjitha të dhënat për të gjitha krimet e bëra në Kosovë”, tha Kasumi. Brenda pak ditësh fillojnë identifikimet e viktimave, ndërsa ende nuk ka informacion se sa përfaqësues nga Kosova do të marrin pjesë në këtë proces. (REL)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›