E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë/ Zihnie Cerloi, mësuesja- kandidate për drejtimin e degës së PD-së


Zihnie Cerloi, mësuesja e respektuar dhe me përvojë, gruaja e përkushtuar, aktualisht drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Mehmet Babamusta”, është kandidatja për kreun e degës së PD në qytetin e Kavajës.


Zihnien e gjen në dhomën e vogël të drejtorisë së shkollës, më të madhe të Kavajës, me 952 nxënës dhe 50 mësues, ku hyjnë e dalin vazhdimisht njerëz.


E pyetur për kandidimin e saj ajo përgjigjet: “Më vjen mirë, për këtë kandidim, pasi në të 31 seksionet e PD-së në Kavajë, propozimet për emrin tim kanë ardhur nga burra dhe nga njerëz me kontribute për demokracinë, por mbi të gjitha më vjen mirë që në Kavajë për herë të parë në këto 18 vjet janë shfaqur kandidaturat e grave për drejtimin e PD. Kjo është pjesa e rëndësishme e ndryshimit që kërkojmë të bëhet”


Zihnije Cerloi është anëtare e PD-së, që nga viti 1991, kur nisën ndryshimet demokratike në Shqipëri, ndërsa që prej 8 vjetësh ajo është një nga 23 anëtarët e kryesisë së degës lokale të PD në Kavajë, ku aktualisht ka 5 anëtare gra dhe vajza.


Ajo e njeh Kavajën dhe është e kënaqur me ndryshimet që kanë ndodhur 4 vitet e fundit në këtë qytet. Ka lindur dhe është rritur në familjen Mustafa dhe nuk ka lëvizur asnjëherë nga qyteti i saj i lindjes.


Pasi ka përfunduar studimet në degën e biokimisë ka punuar në fshatin Luz i Vogël për disa vite dhe më pas në të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të Kavajës. Zihnija është nënë e dy djemve, Rudit, 20 vjeç dhe Jurgenit, 10 vjeç.


“Një nga detyrat që i kam vënë vehtes është të afroj sa më shumë gra dhe vajza si aktivste të PD. Mjaft drejtuese të suksesshme të institucioneve të arsimit dhe shëndetsisë janë një provë e mirë se gratë kanë mundësi të jenë më aktive në politikë”-thotë e bindur mësuese Zihnija (siç e thërrasin nxënësit), duke shprehur simpati për koleget e saj që i kanë kaluar sprovat e drejtimit.


Më pas ajo shton: “Vizioni im i ndryshimit kalon nga fshati, pasi atje ka nevojë për më shumë mbështetje dhe punë. Në rrethin tonë ka 65 fshatra dhe familjet e fermerëve duhet ti përjetojnë ndryshimet pozitive”


Për Znj. Zihnie detyra e parë me të cilën do të përballet pas kandidimit për kreun e PD-së, në Kavajë është fushata zgjedhore e cila ndoshta nën drejtimin e një gruaje do të tingëllojë ndryshe, por që kërkon kontributin e të gjithë anëtarëve dhe simpaizantëve të PD dhe mbi të gjithë kërkon kontributin e “Pishtarëve të demokracisë”, njerëzve që u përballën me makinën e egër të diktaturës dhe e mposhtën atë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›