Ruli” Qeveria ka bërë hapa të mëdhenj për rritjen e konkurencës në treg

Qeveria shqiptare ka bërë hapa të mëdhenj përsa i përket proçesit të rregullimit dhe hyrjes së operatorëve të rinj në treg, por edhe përsa i përket implementimit konseguent të ndihmës shtetërore. Ministri i Ekoonmisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli deklaroi sot gjatë punimeve në konferencën "Konkurenca në ekonomitë e vogla dhe informale", organizuar nga Autoriteti i Konkurencës se "ndërhyrjet kanë sjellë hapjen e tregut si dhe gjallërimin e konkurencës dhe një përdorim më efiçent të parave të taksapaguesve dhe nga ana tjetër Autoriteti i Konkurencës përmes mekanizmave po ndikon gjithnjë e më shumë në ekzistencën e tregjeve produkteve dhe shërbimeve në vend në dobi të konsumatorëve shqiptarë". Kreu i METE-s, inkurajoi gjithashtu edhe ndërhyrjet e këtij Autoriteti në tregje thelbësore, si atë të telefonisë fikse dhe asaj mobile, e prodhimit të bukës apo betonit. “Tregu shqiptar është veçanërisht i vogël dhe përqëndrimet e aktiviteteve tregtare në duar të pak lojtarëve ndodhin mjaft lehtë, por kanë një ndikim mjaft të madh të konsumatori final apo qytetariët e këtij vendi, të cilët ashtu si edhe qytetarët evropianë kanë të drejtë për produkte në një treg konkurent", vijoi Ruli.
Ai u shpreh se Shqipëria është sot një treg gjithnjë e më pak informal. "Marrëveshjet CEFTA që janë në fazën e implementimit është arritja dhe ndërmarrja jonë më e madhe në drejtim të integrimit të ekonomisë sonë me atë rajonale", tha Ruli. Sipas tij, implementimi i marrëveshjes do të sjellë humbjen e konceptit "ekonomi e vogël", aq më tepër kur sot qeveria po delegon rreth 10 % të PBB-së në investimin e infrastrukturës.
"Reforma trevjeçare kanë qënë drastike të mirëmenduara dhe me efekt të plotë", theksoi Ruli, ndërsa shtoi se "rezultati është i dukshëm dhe shënon hyrjen e konsiderueshme të aktiviteteve ekonomike në zonat e formalitetit". Kreu i METES, në fjalën e tij nënvizoi se baza e ekonomisë shqiptare janë ndërmarjret e vola dhe të mesme për të cilat, po zbatohen projekte konkrete dhe po implementohet hap pas hapi karta evropiane për këto ndërmarrje. "Ne jemi të bindur se duke nxitur konkurueshmërinë do të arrijmë rritje të qëndrueshme ekonomike, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës", u shpreh Ministri Ruli. Por, ai shtoi se efektet e reformave të qeverisë do të jenë pak të dukshme nëse ato nuk shoqërohen me zbatimin e instrumentave efikase që ka sot në dispozicion ky Autoritet. "Nëse nuk do të veprohet në kordinim me reformat e qeverisë dhe ato të Autoritetit të Konkurencës ndoshta nuk do të kemi ndërmarrje kompetitive dhe konsumatorë të kënaqur me produketet apo shërbimet tona", tha Ruli. Ndërkohë, Kryetarja e Autoritetit të Konkurencës Lindita Milo (Lati), duke e konsideruar konkurencën si një domosdoshmëri për të funksionuar tergu, tha se reagimi pozitiv ndaj kërkesave të konkurencës dhe rritja e numërit të ankesave nga lojtarët e tregut, tregojnë se biznesi na konsideron partner. Ajo theksoi se "ashtu si edhe vetë ekonomia, ky Autoritet ka përmirësuar gjithnjë e më tepër instrumentat e zbatimit të ligjit". Konferenca "Konkurenca në ekonomitë e vogla dhe informale" u zhvillua në kuadër të Ditës Kombëtare të Konkurencës, ndërsa ky Autoritet festoi sot edhe 5-vjetorin, ku morën pjesë edhe përfaqësues të AK të vendeve të Rajonit.
...