Urdhri i Infermierëve akuzon Vasilin për punësimet pa status e pa arsim
Urdhri i Infermierit të Shqipërisë në kuadrin e veprimtarisë së tij për njohjen dhe zbatimin e ligjit, kodit dhe statusit të infermierit si dhe për të ngritur më lart nivelin e sjelljeve etiko-profesionale të infermierëve dhe fizio-terapistëve në të gjithë Shqipërinë,
duke patur prioritet një kujdes sa më cilësor ndaj pacientëve ka zhvilluar së fundmi tre konferenca rajonale, në qarqet Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës. Në këto konferenca janë nxjerrë një sërë problemesh ku më urgjentet sipas drejtuesve të urdhrit të infermierëve ka qenë fakti se ndodh shpesh që në shumë institucione shëndetësore në vend, drejtuesit e tyre, në rolin e punëdhënësit, marrin në punë duke shkelur këtë dispozite të ligjit, por ndonjëherë duke shkelur edhe etikën profesionale të këtyre punonjësve. Ligji e citon qartë se pa u regjistruar më parë te UISH si infermier apo fizioterapist, nuk mund të të jepet e drejta për punësim si i tillë. Por ka shumë institucione private shëndetësore apo klinika private që në kundërshtim me ligjin marrin në punë infermiere pa lejen e UISH-së, ka pohuar lidhur me një fakt të tillë, Sabri Skënderi, president i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë ditën e djeshme gjatë takimit të zhvilluar. Sipas kreut të urdhrit të infermierëve, edhe ministria e shëndetësisë ka pjesën e saj të përgjegjësisë sepse edhe në spitale punësohen ashtu si në aktivitetet private infermierë pa status, e pa arsim. Sipas Skënderit, licencimi nga UISH e pajis infermierin me dëshminë e nevojshme se ai është në gjendje të ushtrojë profesionin e tij dhe se nuk ka precedentë të mëparshëm negativë gjatë ushtrimit të profesionit, të cilët mund ta bëjnë atë të papërshtatshëm për këtë proces etj. Në takimin e zhvilluar ditën e djeshme krahas informimit me dokumentet e mësipërme, janë zhvilluar edhe një sërë temash profesionale, në kuadrin e edukimit të vazhdueshëm profesional të infermierëve. Këto aktivitete, kanë qenë të akredituara dhe gjithë pjesëmarrësit janë pajisur me certifikata dhe kreditet e nevojshme. Por përveç realizimit të misionit të vet në këto konferenca, për rritjen e nivelit të standardeve infermieriore në vend, në mbyllje të tyre janë diskutuar edhe problemet që i shqetësojnë infermierët sot në këto rajone.
Problemet
Problematika e parë ka qenë ajo në lidhje me vlerësimin i infermierëve. Këta të fundit kanë ngritur shqetësimin e përhershëm se kërkojnë më tepër vlerësim, më tepër motivim dhe më shumë hapësira për përfaqësim në të gjitha nivelet e drejtimit të institucioneve shëndetësore. Ata mendojnë se realizimi i kërkesave të mësipërme do ti shërbejë rritjes së cilësisë të kujdeseve infermieriore. Në takim u theksua, gjithashtu se problemet më të mëdha kanë të bëjnë që me faktin e marrjes në punë, heqjes nga puna pa motiv në shumicën e rasteve ngritja dhe ulja në detyrë, lëvizja e tyre në shërbime të ndryshme, procese që sipas infermierëve realizohen pa mendimin e tyre dhe pa pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje, gjë e cila duhet të ndryshojë sa më shpejt. Problem tjetër që doli nga këto konferenca është edhe ai i zbatimit me korrektësi i ligjit për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë jo vetëm nga profesionistët e kujdesit infermieror, por edhe nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore, ku ligji, u ndalon punëmarrësve marrjen në punë të këtyre profesionistëve pa u regjistruar tek Urdhri i Infermierit të Shqipërisë. Sipas kreut të urdhrit të infermierëve Skënderi, licencimi nga UISH e pajis infermierin me dëshminë e nevojshme se ai është në gjendje të ushtrojë profesionin e tij dhe se nuk ka precedentë të mëparshëm negativë gjatë ushtrimit të profesionit, të cilët mund ta bëjnë atë të papërshtatshëm për këtë proces etj. Problematika e tretë është arsimimi dhe mbajtja e vendit të punës. Infermierët e vjetër: Të na njihen kreditet shtesë të viteve të gjata të punës. Problem tjetër që u diskutua në këto konferenca ishte edhe problemi i arsimimit të infermierëve, pasi ata të vjetër në punë kërkojnë vlerësim të formimeve dhe eksperiencës së tyre profesionale ndër vite, si edhe të eksperiencës së punës së tyre, me kreditet e nevojshme ashtu siç ndodh në shumë vende të botës.
Arta AGOLLI