Kavani tris, Napoli heq qafe Milanin
Juventusi ka arritur një fitore minimale, por me shumë vlera në transfertën e Sienës, falë golit të shënuar nga Alesandro Matri në minutën e 54-ët. Në përgjithësi, përballja mes torinezëve dhe toskanëve ka qenë e mërzitshme, pasi vendësit mbroheshin me forca të shumta dhe nuk e rrezikuan asnjëherë portën e mbrojtur nga Xhanluixhi Bufon. Bardhezinjtë, nga ana tjetër, me një stol ku qëndronin Del Piero, Artur apo edhe Krasiç, nuk kanë menduar të sforcohen shumë duke ditur se në mesjavë do të presin Bolonjan. Gjithsesi, disa raste për shënim kanë anuar nga ana e juventinëve, por goli do të vijë vetëm pas një aksioni model, kur Xhakerini do të marrë një top të saktë nga Pepe, që preu të gjithë fushën nga e majta në të djathtë. Shtatshkurtri do të pasojë në qendër për Vuçiniç, që lëviz shkëlqyeshëm duke nxjerrë para portës Matrin. Ky i fundit nuk e ka të vështirë për të shënuar. Gjithsesi, pak minuta më pas sulmuesi do të lërë fushën për shkak të një dëmtimi.
Në sfidat e tjera të ditës së djeshme, bie në sy humbja shtëpiake e Lacios. Skuadra e Canës (shqiptari nuk u aktivizua asnjë minutë) nuk arriti të mbronte avantazhin e vendosur nga Skuli, për t’u kaluar në pjesën e dytë nga golat e Palasios dhe Kuçkas. Fitore bindëse për Udinezen, që nënshtron në Friuli Fiorentinan. Bardhezinjtë e udhëhequr nga Antonio Di Natale shënojnë dy herë, në fillim pikërisht me Di Natalen (10’) dhe më pas me Islan (30’). Paraqitje e dobët për skuadrën e Mihajloviçit, që duket se ka ende punë për të bërë. Sebastian Xhovinko është heroi i Parmës. Lojtari shtatshkurtër ka realizuar një dygolësh në përballjen e djeshme kundër Kievos. Ish-lojtari i Juves realizoi në minutën e 24-ët, por Paloski do të barazonte shifrat 11 minuta nga fundi i takimit. Sidoqoftë, kur pritej vetëm fërshëllima e fundit e arbitrit, Xhovinko ka realizuar edhe golin e dytë, për t’i dhënë tre pikët e para në këtë kampionat verdhebluve. Katania dhe Atalanta kanë shënuar nga një gol në sfidat e tyre duke mposhtur respektivisht Çezezën dhe Palermon. Bogdani është aktivizuar në minutën e 57-të, por nuk ka mundur të bëjë asgjë për të shmangur humbjen e Çezenës së tij.
Post Roma
Shnajder: Mos fajësoni Gasperinin
Barazimi i së shtunës ka lënë shije të hidhur te tifozët e Interit, që pas humbjes me Palermon një javë më parë dhe asaj në mesjavë kundër Trabzonsporit, ende nuk po arrijnë t’i gëzohen një fitoreje. Megjithatë, pas kritikave të shpërthyera në adresë të teknikut Gasperini, është mesfushori holandez Uesli Shnajder, ai që ndërhyn në mbrojtje të trajnerit. “Është shumë e lehtë të drejtosh gishtin nga trajneri. Fatkeqësisht gjërat nuk shkojnë mirë për ne për momentin. Nuk jemi në gjendje të shfrytëzojmë shumë shanse që krijojmë. Është përgjegjësi e jona dhe ne duhet të përmirësohemi si ekip” ka thënë mesfushori holandez.
Serie A
Dje
Kajliari – Novara 2-1
Inter – Roma 0-0
Sot
Atalanta – Palermo 1-0
Katania – Çezena 1-0
Bolonja – Leçe 0-2
Lacio – Xhenoa 1-2
Siena – Juventus 0-1
Parma – Kievo 2-1
Udineze – Fiorentina 2-0
Napoli – Milan X-X
Renditja
Skuadra N F B H P
1.Juventus 2 2 0 0 6
2.Udineze 2 2 0 0 6
3.Kajliari 2 2 0 0 6
4.Xhenoa 2 1 1 0 4
5.Katania 2 1 1 0 4
6.Napoli 1 1 0 0 3
7.Palermo 2 1 0 1 3
8.Fiorentina 2 1 0 1 3
8.Leçe 2 1 0 1 3
10.Parma 2 1 0 1 3
11.Milan 1 0 1 0 1
12.Novara 2 0 1 1 1
13.Kievo 2 0 1 1 1
14.Lacio 2 0 1 1 1
15.Inter 2 0 1 1 1
16.Roma 2 0 1 1 1
17.Siena 2 0 1 1 1
18.Çezena 2 0 0 2 0
19.Bolonja 2 0 0 2 0
20.Atalanta 2 1 1 0 -2