Kaziragi: “Shqiperia, ndeshje e vështirë”

Shqipëria do të jetë e vështirë. Është i bindur edhe vetë trajneri i Shpresave të Italisë, Pierluixhi Kaziragi. "Do të jetë një ndeshje e ashpër, e ndryshme nga ajo e para. Për të fituar duhet të luftojmë për cdo top". Ky është paralajmërimi i trajnerit të "axurrinëve" në prag të ndeshjeve me Shqipërinë.
Të shtunën e kaluar, në "Ruzhdi Bizhuta", Kombëtarja U-21 fitoi në mënyrë befasuese me Kroacinë (1-0), ndërsa neser në "Niko Dovana" (ora 16:00), trajneri Bushati dhe formacioni i tij, do të përpiqen të arrijnë kundër Italisë rezultatin e tretë pozitiv në katër ballafaqimet e eliminatoreve të Kampionatit Europian të Shpresave. Kryetekniku i Shpresave të Italisë është i bindur më shumë se kushdo tjetër se në fushë do të jetë një Shqipëri tjetër, krejt e ndryshme nga ajo që takoi qershorin e kaluar në Pontendera dhe që Italia e mposhti 4-0. Kaziragi flet nga Durrësi: "Shqipëria është një skuadër që luan mirë futboll, shumë e motivuar dhe e përqendruar. Janë djem të rinj plot me entuziazëm, të cilët kësaj radhe do të jenë edhe më të karikuar pas fitores 1-0 kundër Kroacisë. Nuk dua të vendos duart përpara, them vetëm se duhet të jemi të kujdesshëm. Mbi të gjitha duhet të qëndrojmë të qetë dhe mos biem pre e marrëzisë për të fituar".
"Gjendja jonë, - pohoi Kaziragi për mediat italiane,- nuk është akoma më e mira, por grupi është shumë i vlefshëm dhe do të vazhdojë rrugën. Grupi ynë është shumë i ekuilibruar, mjafton të shikoni klasifikimin". Dy kundërshtarët e së martës, Shqipëria dhe Italia ndodhen në kuotë të barabartë pikësh, nga gjashtë, së bashku edhe me Kroacinë e Greqinë. Ekipi italian U-21, që fitoi ndeshjen e parë me Shqipërinë 4-0, mbërriti dje në mesditë në Tiranë dhe u sistemua në hotel "Sheraton". Skuadra e Kaziragit, po dje zhvilloi një seancë stërvitore njohëse në fushën e stadiumit "Niko Dovana" të qytetit të Durrësit. Takimi Shqipëri-Itali do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh zviceranë me kryesor Schoergenhofer.
Rezultatet e Shqipërisë
Itali-Shqipëri 4-0
Shqipëri-Ishujt Faroe 1-0
Shqipëri-Kroaci 1-0
GRUPI A
11 shtator
Shqipëri-Itali
Ishujt Faroe-Greqi
12 shtator
Kroaci-Azerbajxhan
RENDITJA
Skuadrat N P
Kroacia 3 6
Italia 2 6
Greqia 3 6
Shqipëria 3 6
Azerbjaxhani 0 2
Ishujt Faroe 3 0