Tersi me numër “2”

Nga të gjitha anët po t'i rrotullosh ndeshjet e Shqipërisë me Holandën, në mendje përpos lojtarëve të mëdhenj, pa asnjë dyshim do të mbetet numri "2". Për një statistikë të thjeshtë. Në tri ballafaqimet e Shqipërisë me Holandën, kemi pësuar rregullisht nga dy gola për cdo takim të humbur me "tulipanët", që në total bëjnë gjashtë gola: 4 të pësuar nga Mikel Janku, për eliminatoret e Botërorit 1966 dhe 2 nga Arjan Beqaj në eliminatoret e Euro 2008.
Kështu ndodhi edhe në takimin e parë, më 24 maj 1964, kur Shqipëria humbi 2-0 në Fejënord, për eliminatoret e Kampionatit Botëror Angli 1966, kur pas mbyllëm pjesën e parë në barazim 0-0, pësuam dy gola brenda katër minutave: Shrijvers (48') me penallti (e dyshimtë sipas portierit të përfaqësueses sonë, në atë takim, Mikel Janku) dhe Muler në të 52'.
Edhe në ndeshjen e kthimit, më 25 tetor 1964, humbëm me të njëjtin rezultat 2-0, por kësaj radhe holandezët shënuan golin e parë, tri minuta pas fillimit të takimit (Van Nee, 3') dhe golin e dytë, tri minuta para përfundimit të ndeshjes (Geurtsen, 87'). E
dhe në takimin e tretë të zhvilluar në Amsterdam, më 11 tetor 2006, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, tradita nuk ndryshoi: pësuam dy gola, (të parin e shënoi Van Persi), ndërsa të dytin e pësuam me autogol (Nevil Dede), por në ndryshim nga dy ballafaqimet e vitit 1964, në takimin e tretë kundër "tulipanëve" shënuam me anë të Debatik Currit golin e nderit.
A do të prishet tradita e humbjeve dhe dy golave të pësuar? Në kampin kuqezi optimizmi për një rezultat pozitiv është në kulm. Dhe nëse ndodh kështu, thjesht duhet të kujtojmë një të dhënë statistikore: Tirana dhe Ajaksi në vitin 1970 e mbyllën ndeshjen midis tyre në "Qemal Stafa" në barazim 2-2, edhe pse atëherë Ajaksi ishte ai total, dhe në gjirin e tij kishte edhe Johan Krujfin e madh, i cili në të vërtetë për shkak të një dëmtimi nuk luajti në Tiranë edhe pse kreu një nxehje të lehtë në pistën e "Qemal Stafës".