E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kazma ngulet në veri



Instituti Arkeologjik miraton hartën e re të gërmimeve arkeologjike që do të kryhen për vitin 2009. Nga veriu në jug, përfshihen jo vetëm qendrat tashmë të njohura që prodhojnë informacione arkeologjike që nga antikiteti, por edhe zona të panjohura deri më sot. Arkeologjia nënujore tërheq projekte me të huajt. Nga kontinenti më i largët, ai amerikan, një ekip pritet të vijë për eksplorime të reja nënujore

Muaji prill shënon fillimin e ekspeditave arkeologjike për vitin 2009. Veriu duket se është “historia” e re që nis për arkeologjinë shqiptare. Dje, përgjegjësi i departamentit të Antikitetit të Vonë në Institutin e Arkeologjisë, Luan Përzhita, duke treguar për “standard” hartën e re të ekspeditave që do të bëhen në shkallë vendi, tërheq vëmendjen në pikat më kryesore të zonave që janë gati të panjohura deri tani. Ndërsa sfida më e re dhe entuziaste për arkeologjinë janë dhe zbulimet nënujore që vazhdojnë të impresionojnë arkeologët me të dhënat pafund nga antikiteti të projektit të njohur tashmë “Liburna”. Përzhita na tregon se zonat ku priten zbulime të befasishme, ka gjasa të na çojnë përpara mesjetës duke hedhur kazmën sidomos në veri. Arkeologjia nënujore tërheq projekte me të huajt. Nga kontinenti më i largët, ai amerikan, një ekip pritet të vijë për eksplorime të reja nënujore. Si rezultat i bashkëpunimeve të Institutit të Arkeologjisë dhe universiteteve amerikane, për herë të parë bregdeti Jon do t’i nënshtrohet një procesi përpunimi me qëllim përpilimin e hartës arkeologjike nënujore.

“Ky projekt ka një rëndësi shumë të madhe, pasi ne do të njihemi me pasurinë e begatë që mban bregdeti ynë. Siç dihet, vija e bregut të detit ka kryer një shërbim mjaft të rëndësishëm në lidhjet detare për kohën antike. Janë kryer shumë luftëra të ndryshme që kanë ndodhur në atë kohë dhe rezultatet e para janë mjaft impresionuese”, - shprehet përgjegjësi i departamentit të Antikitetit të Vonë në Institutin e Arkeologjisë, Luan Përzhita, duke shtuar se “në territore të ngushta siç është gjiri i Vlorës dhe i pjesës jugore të Sarandës janë vërtetuar mbetjet e disa anijeve të asaj kohe”. Janë gjithsej rreth 28 projekte të parashikuara të gërmimeve arkeologjike, duke përfshirë edhe ekspedita në Kosovë dhe Maqedoni. “Ka një domethënie të madhe për të nderuar vlera të mëdha për krijimin jo vetëm të vlerësimit shkencor, por edhe për turizmin kulturor”, - thotë ai.

Kështu, në Koman ka përfunduar faza e parë e gërmimeve arkeologjike, ndërsa në prill pritet sërish të zbarkojnë arkeologët me një potencë më të madhe, sipas Përzhitës. Veç kësaj, për vitin 2009 Instituti i Arkeologjisë ka planifikuar të realizojë projekte që do të konsistojnë më tepër në periudhën e prehistorisë, antikitet, antikitetit të vonë dhe mesjetë. Në Dibër, do të vazhdojnë gërmimet pas një eksplorimi që i është bërë zonës më parë dhe interesit të veçantë që paraqet për historinë verilindja e Shqipërisë nga Instituti i Arkeologjisë. Në Korçë, si studim i materialeve të zbuluara në këtë qendër unikale prehistorike në Ballkan si bashkëpunim i IA-së me universitetin e Parisit I. Ky studim do të shoqërohet me disa sondazhe të nevojshme në Kallamas (Prespa e Madhe) për të sqaruar disa probleme lidhur me botimin përfundimtar të rezultateve të gërmimeve. Po ashtu edhe në Kaoni, për neolitin e hershëm në Shqipërinë Jugore nga vetë IA. Sa i përket periudhës së antikitetit gërmime do të kryhen në Apoloni, në Teatrin e Apolonisë dhe “Kora e Apolonisë”, në Finiq si projekt i qytetit antik i Foinikes, në Durrës, Butrint, për të cilin do të përgatitet botimi i gërmimeve të kryera prej shumë vitesh, si dhe parashikohet realizimi i një shkolle verore në Fushë-Vrinë. Gjirokastra është një tjetër qytet ku gërmimet arkeologjike do të vijojnë me projekte si “Antigonea”, “Hadrianapoli”, “Oriku”. Ndërsa për antikitetin e vonë dhe mesjetën do të bëhen gërmime në Dibër, konkretisht në kalanë e Grazhdanit, në Bylis, Sarandë mbi monumentet e kultit të krishterë, në Lezhën mesjetare mbi organizmin e hapësirës urbane dhe dinamika e popullsisë e në “Lissos” mbi strukturën urbane dhe social-ekonomike të një polisi helenistik në Iliri. Po ashtu për këtë epokë, është përshirë edhe Durrësi mbi studimin arkeologjik dhe arkeomertik të materialeve të gërmimeve të emergjencës dhe të amfiteatrit të këtij qyteti. Ky aktivitet po zhvillohet në bashkëpunim me shumë universitete të huaja siç janë ato të SHBA-së, të Francës, Italisë, Gjermanisë, Britani së Madhe. Instituti Arkeologjik kryen gërmimet arkeologjike si në territorin e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Kosovës dhe Maqedonisë. “Këto janë periudha që flasin për periudha të ndryshme të historisë së popullit shqiptar. Disa prej këtyre gërmimeve kanë lidhje me origjinën ilire, dominimin e tyre, luftërat apo rezultatet që kanë dhënë. Periudha të tjera kanë të bëjnë me vlerat e civilizimit të qytetërimit mesdhetar, të antikitetit të vonë dhe mesjetës shqiptare, që nga prehistoria deri në mesjetë”, - sqaron Përzhita.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›