Rikthehen kooperativat bujqësore, këtë herë, private
Në vendet e BE-së fermerët bashkojnë tokën dhe organizojnë ferma për të prodhuar produkte cilësore dhe kështu sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për familjet e tyre. Madje bashkimi i fermave në disa vende është standard i kërkuar me qëllim që shteti të japë subvencione për zhvillimin e sektorit bujqësor. Aspirimi i Shqipërisë për të aderuar në BE në një kohë të shpejtë, sjell dhe detyrime që duhen plotësuar në fusha dhe sektorë të ndryshëm. Një prej tyre është dhe krijimi i këtyre grupimeve apo përndryshe kooperativa private që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor si dhe mbi të gjitha vënien në funksion të tokës, për të mos e lënë atë djerrë. Në Shqipëri do të krijohen së shpejti kooperativat bujqësore, por ato këtë herë do të jenë krejtësisht private dhe jo të organizuara nga shteti, siç kanë qenë në kohën e diktaturës. Burime zyrtare pranë MBUMK-së thanë se për herë të parë brenda këtij viti, Shqipëria do të ketë ligjin "Për kooperativat bujqësore private", në përputhje të plotë me direktivat e BE-së në këtë fushë. Fermerët janë njohur dje me lajmin se këtë vit do të krijohen kooperativat bujqësore. Fermerët janë informuar për ligjin që është duke u hartuar nga Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, (KASH), i cili duke përfituar nga një takim kombëtar me fermerë nga rrethe të ndryshme të vendit, u bëri me dije se në zbatim të një prej detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA-së, në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, një grup pune po punon për hartimin e projektligjit të ri, i cili më pas do të miratohet në qeveri dhe në Kuvend. Me hartimin e këtij ligji, fermerëve u krijohet mundësia të bashkojnë tokën e tyre duke krijuar kooperativat private dhe kështu krijojnë premisa për të nxitur prodhimin bujqësor, i cili mund të jetë edhe një mundësi e mirë për ta eksportuar. Krijimi i këtyre kooperativave do të nxisë fermerët të prodhojnë produkte bujqësore cilësore sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke hapur kështu rrugën drejt tregjeve evropianë për prodhimet bujqësore shqiptare.
Ligji "Për kooperativat bujqësore private" synon, sipas ekspertëve, bashkimin me dëshirë të tokave të fermerëve, deri në 1000 hektarë tokë, si një shembull që duhet të paraprijë erën e re në kooperativizmin e bujqësisë. Aktualisht, në vendin tonë ka disa shoqata fermere në Divjakë e Kavajë, që ka 50 familje, të cilat kanë bashkuar 150 ha tokë e prodhojnë perime për treg dhe eksport. Kjo eksperiencë pritet të mbështetet me ligj, duke krijuar kështu kooperativat private sipas standardeve bujqësore evropiane në zonat më të njohura të prodhimit bujqësor apo blegtoral në vendin tonë.