Abuzimi me tenderin, 20 muaj burg për 3 të pandehurit
Blerja e një makine për Ministrinë e Shëndetësisë dhe abuzimi me tenderin për blerjen e saj u kushton dënimin me 20 muaj burg dhe 1.2 milionë e 74 mijë lekë gjobë tre të pandehurve dhe një firme. Vendimi u dha dje në Gjykatën e Tiranës nga togat e zeza të kryesuara nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila i shpalli fajtorë tre të pandehurit: Voltan Shehu, Sami Bruçi dhe Leart Qëndro. Referuar vendimit të gjykatës, Sami Bruçi u dënua me 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë gjobë, Voltan Shehu me 6 muaj burg e 224 mijë lekë gjobë, ndërsa Leart Qëndro u dënua me 7 muaj e gjysmë burg e 300 mijë lekë gjobë. Për firmën “Bruçi” sh.p.k., prokurori kërkoi 450 mijë lekë gjobë, si dhe heqjen e të drejtës për të marrë pjesë në tendera për 1 vit. Të pandehurit akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”. Dy seanca më parë prokuroria kërkoi dënimin e tyre me 21 muaj burg dhe 7 milionë e 400 mijë lekë gjobë. Ndërsa vetë të pandehurit kërkuan pafajësinë e tyre duke pretenduar se nuk kanë kryer asnjë abuzim.
Hetimi
Sipas përfaqësuesit të akuzës, hetimet ndaj të pandehurve kanë nisur më 28 shkurt të vitit të kaluar, pas informacioneve të marra se të pandehurit kanë abuzuar me tenderin e blerjes së një automjeti të përdorur për nevoja të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas akuzës, fondi limit i vënë në dispozicion të këtij tenderi ishte 8 milionë lekë të reja, ndërsa janë paraqitur për të marrë pjesë në të tre firma. Firma e parë, e cila është skualifikuar, ka ofruar mjetin për 6.3 milionë lekë; e dyta për 6.65 milionë dhe e treta, ajo që është shpallur fituese, e ka ofruar automjetin e kërkuar për 6.63 milionë lekë. Kjo firmë mësohet se e ka fituar tenderin, duke paraqitur dokumente të falsifikuara. Sipas prokurorisë, dokumenti kryesor për të marrë pjesë në tender ishte garancia që ka paraqitur firma “Bruçi”, se zotëronte në një nga bankat e nivelit të dytë në vend një llogari prej rreth 3.3 milionë lekësh të reja. Pra, firma duhet të zotëronte një llogari bankare, jo më të vogël se gjysma e vlerës së ofruar në tender, kusht ky i domosdoshëm për të marrë pjesë në të. Të pandehur për këtë proces janë edhe mjeku Maksim Bozo, juristi Aleksandër Lipiani, ekonomisti Edi Vesho, të cilët akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera”, si dhe noterja Majlinda Demollari, që akuzohet për “shpërdorim detyre”. Për katër të pandehurit, gjykata ka ndarë dosjen, pasi nuk pranuan të gjykohen me gjykim të shkurtuar, në gjendjen që janë paraqitur aktet nga prokuroria. Përpara gjykatës, të pandehurit kanë mohuar akuzat e ngritura. Përfaqësuesit e firmës, të akuzuar për falsifikimin e dokumentit bankar, pohojnë se e kanë tërhequr dokumentacionin në sekretarinë e bankës. 6.6 milionë lekë është abuzimi që kanë kryer të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Sipas akuzës, ata kanë paraqitur një dokumentacion gjatë hedhjes së tenderit, për të cilin pretendonin se e kishin marrë në bankë. Në fashikullin e gjykimit ndodhen edhe ekspertizat e bëra të këtij dokumenti, si dhe përgjigjja e bankës, e cila pohon se nuk ka lëshuar asnjë dokument për firmën “Bruçi” sh.p.k. Prokuroria pretendon se ky dokument është falsifikuar nga vetë të pandehurit, ndërsa noterja ka bërë noterizimin.