Njeriu i kartonit
Shoqata e Animacionit Shqiptar, postmortum për një nga regjisorët e filmave vizatimorë që pati kulmin në vitet ’80, që krijonte mes naivitetit, moralit në kohët me të errëta të diktaturës
Mund të duken naive për kohën kur u realizuan dhe u shkruan, por duket se filmat e kartonit për shqiptarët në kohën e diktaturës ishin filozofia më e pastër çfarë prodhonte mentaliteti ynë, duke iu drejtuar nostalgjikëve. Boris Ikonomi është një prej njerëzve të “kartonit” që krijuan diznejlandin shqiptar, në kushte totale të errësirës dhe injorancës. Regjisor dhe piktor, Ikonomi nuk është më njeriu më aktiv ashtu si në kulmin e tij, në vitet ’80, sepse në nëntor të 2008-s ai u nda nga jeta, ndërsa nesër njerëzit e filmit do ta kujtojnë, në postmortum, në ditën e lindjes së tij, më 16 prill.
Në kinema “Millenium”, me nismën e Shoqatës së Animacionit Shqiptar, në bashkëpunim me familjen e artistit, do të organizohet homazh për veprën e regjisorit. Shtatë nga njëmbëdhjetë filmat që mbajnë firmën e Ikonomit dhe që kanë mbetur në kujtesën e publikut e të kinematografisë shqiptare do të dalin nga Arkivi Qendror i Filmit për t’u projektuar përgjatë një ore në ekranin e madh. Në këtë ceremoni që zhvillohet pikërisht në ditëlindjen e regjisorit, do të marrin pjesë regjisorë, skenaristë, piktorë dhe të afërm te regjisorit.
Të gjithëve u kujtohet filmi vizatimor “Puna është flori”, ku në kohën e diktaturës filozofia ishte e huaj për t’u debatuar, duke i përfshirë gjithë esencën e krijimtarisë në moral. Qindra vjet më parë, në një fshat malor, jetonte një plak punëtor dhe i mençur. Plaku punonte nga mëngjesi në darkë, ndërsa tre djemtë e tij e kalonin kohën duke u argëtuar. Vitet iknin dhe plaku e ndiente se po i afrohej vdekja. Në prag të saj ai thirri tre djemtë dhe u thotë se në arë ka fshehur një qyp me florinj: “Ta punoni arën bij, derisa ta gjeni”. U lodhën djemtë duke kërkuar, por më kot. Kur s'gjetën gjë, vendosën ta mbillnin tokën. Erdhi vjeshta dhe ara me pjergullat dhanë prodhime të bollshme. Vetëm atëherë djemtë e kuptuan sekretin e plakut të mençur: është puna burimi i të gjitha të ardhurave materiale. “Puna është flori”, - kjo fabul moralizuese e shkruar nga Luan Rama, ku mund të thuhet se ishte një nga bashkëpunëtorët më aktivë të regjisurës së Ikonomit, mbahet mend për thjeshtësinë prezantuese. Ishte mund të thuash punë e pastër krijuesi, pra e piktorit. Në këto kushte mungese teknike, krijohen dhe tërheqin vëmendjen dhe filma të tjerë si “Zëri i gjakut, zëri i tokës”, 1985, “Dy vëllezër dhe ujku”, 1986, shkruar nga Vllasova Musta, ku humori dhe ironia, sidomos në këtë të fundit, çuditshëm i shpëtojnë “censurës” në diktaturë. Dy vëllezër që vrasin ujkun që i hante delet, festojnë. Po si? E thjeshtë ironia, festojnë duke pjekur në hell delet. Asnjë ndryshim nga ujku që ata vrasin. Po në këtë mprehtësi ironie është edhe “Mendja, mendje”, 1988,
Boris Ikonomi lindi në Tiranë, më 16 prill 1956. U diplomua në degën e Grafikës,në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 1979. 1979-1992 punoi si regjisor dhe piktor i filmit të animuar. 1992-1999 drejtor i Alba Film Animation, AFA.
Filmografia e Ikonomit shënon një listë të gjatë produksioni si: “Agroni dhe nafta” 1980; “Puna është flori”, 1981; “Zemërimi i shkronjave” 1981; “Ilira” 1983; “Nevoja të ndihmon” 1984; “Zëri i gjakut, zëri i tokës” 1985; “Merimanga dhe brumbulli” 1986; “Dy vëllezërit dhe ujku”1987; “Mendja, mendje” 1988; “Kopshtari” 1990; “Maratona e lavdisë“ 1992.