E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Samsung Pixon”, risia më e bukur e verës



Para përfundimit të vitit të kaluar, kompania Samsung pati prezantuar disa modele të reja të telefonave celularë, ndërsa njëri prej tyre mbante emrin “Pixon”. Telefoni i lartpërmendur ka disa karakteristika për t’u shpërblyer, ndërsa ajo që e bën këtë model të parezistueshëm është kamera e këtij telefoni me 12 mega-piksel. Siç raportojnë përfaqësuesit e Samsung-ut, bëhet fjalë për telefonin e parë celular me këtë lloj kamere mbresëlënëse me 12 mega-piksel, që është rezolucioni tipik për foto-aparatët më kompaktë. “Samsung Pixon 12” përmban edhe ekranin AMOLED me 3.1 inç të ndjeshëm në prekje, kamerë 12 pxl me auto-fokus, ndërsa fotot e bëra me këtë telefon dhe aplikacionin Samsung Share Pixom lehtësisht mund të barten në shërbimet si Facebook, Picasa etj.
Telefoni pritet të dalë në treg gjatë verës.

“Nokia N97”, gjatë këtij muaji në shitje në 75 shtete

Nokia ka njoftuar zyrtarisht se telefoni i saj më i avancuar N97, do të jetë në shitje në mbi 75 shtete gjatë këtij muaji. Paralajmërimi zyrtar nga Nokia nuk përmend shtetet e veçanta, por bëhet fjalë për mbi 75 shtete, kështu që mund të shpresojmë se edhe në vendin tonë do të fillojnë shitjet. Specifikat e këtij modeli të Nokias janë me të vërtetë mbresëlënëse. Bëhet fjalë për një telefon të mençur, të bazuar në platformën Symbian S60 me ekran të ndjeshëm në prekje, me diagonale prej tre inçësh e gjysmë, me rezolucion prej 640 x 360 piksela dhe fotoaparat prej pesë megapiksela. Nga memoria, në të janë integruar 32 gigabajt me mundësi zgjerimi me anë të kartelave microSD deri në 16 GB, e sa i përket lidhjeve, në të janë Bluetooth 2.0, WLAN, GPRS e HSDPA, si dhe GPS e A-GPS për navigim.

6 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›