Kelmendi, 10 mijë euro për kampionenKosova nderon suksesin historik të Majlinda Kelmendit Kampioneja e botës në xhudo në konkurrencën e junioreve, Majlinda Kelmendi është nderuar të martën nga Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Valton Beqiri me 10

Rrjetet sociale:
Kushtrim KRASNIQI (Prishtinë, 27 tetor) -Sportistët e Kosovës tash e tutje do të kenë një motiv shtesë për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare. Në rast të ngadhënjimit të ndonjë medalje, shteti do t’i nderojë edhe me shuma parash, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e botës. E para që pati fatin ta gëzoj këtë shpërblim është Majlinda Kelmendi, kampioneja e botës në xhudo në konkurrencën e juniorëve, e cila të shtunën fitoi medaljen e artë në Kampionatin botëror të mbajtur në Paris. Ajo të martën në një konferencë për shtyp është shpërblyer nga Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Valton Beqiri me 10 mijë Euro.
“Pasi ky është suksesi i parë në një kampionat botëror, në të cilin u intonua edhe himni i Kosovës, jam tejet i lumtur që të nderojë Majlindën me një shumë prej 10 mijë euro”, - ka deklaruar ministri Beqiri, duke thënë se kjo vlen edhe për sportistët tjerë që arrijnë suksese.
Me këtë rast Majlinda është shprehur tejet e emocionuar pasi për herë të parë sukseset e saj vlerësohen edhe nga shteti. “Po ndihem jashtëzakonisht e lumtur, që tani edhe në Kosovë po vlerësohen rezultatet e sportistëve, dhe kjo është motiv shtesë edhe për sportistët tjerë, që të shohin se sporti përkrahet edhe në Kosovë”, - ka deklaruar kampioneja botërore e xhudos, duke folur edhe për emocionet që i solli medalja e artë. “Është medalja e parë e artë që fitova në një botëror, në të cilin u intonua edhe himni i Kosovës. Falënderoj shqiptarët të cilët ishin të pranishëm dhe më përkrahën gjatë tërë kohës”, - ka thënë Kelmendi.
Trajneri i saj Driton Kuka, ka shtuar se ato që ka arritur Kelmendi nuk i ka arritur askush më parë në Kosovë. “Kampione e Ballkanit, Kampione e Europës dhe tani e botës. Të gjitha këto i ka arritur për 6 muaj. Në Paris pati pesë luftëra, ku veçoj gjysmëfinalen kur mposhti garuesen nga Japonia, që ishte kampione botërore. Majlinda tanimë ka hyrë në histori të sportit botëror, ndërsa rast i veçantë është intonimi i himnit të Kosovës”, tha Kuka. Edhe kreu i FXHK-së, Agron Kuka e quajti suksesin e Majlindës, rast historik për Kosovës.
Numri i klikimeve - 1418
E Marte, 27 Tetor 2009