Kelmendi me senatorin Marti: KE të ndihmojë për gjetjen e të zhdukurve

Prishtinë, 19 Janar - Hajdin Islami/ - Në
takimin e zhvilluar në mes të Ministres së Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe
Senatorit Dik Marty, raportues i Këshillit të Evropës për persona të zhdukur, u
bisedua për ndihmën që Këshilli i Evropës mund të japë për zbardhjen e fatit të
personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media të Ministrisë së
Drejtësisë, thuhet se senatori Marty gjatë këtij takimi tha: Misioni ynë nuk është hetues, kemi ardhur në
Kosovë për të shikuar mundësitë, për të ndihmuar që familjarët e personave të
zhdukur të informohen për fatin e njerëzve të tyre.
Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në
luftën e fundit, ashtu siç e dimë edhe për humbjen e burrit dhe djemve tuaj në
këtë luftë, por një nga qëllimet kryesore të Këshillit të Evropës është
garantimi i bashkëjetesës në paqe në mes të popujve, pa dallim kombi, feje dhe
race.
Në anën tjetër, Ministrja Kelmendi e informoi
senatorin Marty për angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për zbardhjen e fatit
të personave të zhdukur pa dallim të përkatësisë etnike.
Ajo më tutje tha se jemi të gatshëm për
bashkëpunim me të gjitha vendet e rajonit dhe me institucionet ndërkombëtare që
janë të interesuara të ndihmojnë që sa me parë të zbardhet fati i tyre.
Ministrja Kelmendi kërkoi që Serbia të jetë me
bashkëpunuese lidhur me zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur në
luftën e fundit në Kosovë, që sipas evidencë sonë janë 1 882 persona.
Ministrja po ashtu e informoi bashkëbiseduesin
se së shpejti në Prishtinë do të mbahet Konferenca ndërkombëtare për të
zhdukurit, me qëllim të dhënies së kontributit nga ana e ekspertëve
ndërkombëtarë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, thuhet në
komunikatën për media e MD-së.
h.i/e.r/NOA