E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama ka premtuar më shumë se ç'mund të realizojë

Mbyllja e kampit në Guantanamo dhe largimi nga
praktikat e dyshimta të erës së Bushit në kuadër të luftimit të terrorizmit
ishin premtimet kryesore të Barack Obamës, kur mori postin e presidentit
amerikan

Nga
Daniel Scheschkewitz

Shpresat qenë të mëdha. Kështu në shumë pjesë
të botës shpresohej që Presidenti Obama, të rikthente shumë shpejt në
luftën kundër terrorizmit Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën
e virtytshme të shtetit ligjor. Shumëkush shpresonte që ai tu jepte
fund torturave dhe kampeve të errëta dhe të gjitha praktikave, që diskretituan
jo vetëm paraardhësin e tij George W. Bush, por krejt Amerikën.

Obama e dinte se çfarë pritej prej tij dhe
menjëherë paralajmëroi mbylljen e kampit të të burgosurve në Guantanamo. Tani
kur ka kaluar një vit, Guantanamo ekziston ende dhe edhe në fusha të tjera të
luftës kundër terrorizmit i katapultuari në karrierë në Shtëpinë e Bardhë ka
rënë poshtë në tokën e mundësive reale.

Pikërisht në ditën e krishtlindjeve një
nigerian, i cili siç duket kishte lidhje me Al Kaidën, përpak sa nuk arriti të
aktivizonte një lëndë plasëse në një avion pasagjerësh amerikan, edhe pse
shërbimet e fshehta amerikane kishin të dhëna mbi aktivitetet e tij. Jemeni sa
vjen e kthehet në një kamp pritjeje për terroristët islamistë të përndjekur dhe
siç duket, atje kanë përfunduar edhe ish të burgosur të Guantanamos.

Tani administrata e Presidentit Obama po
përpiqet ta zhvendosë kampin e Guantanamos nga Kuba në Tomson, në shtetin
Ilionis. Por nëse edhe atje do të mbahen të burgosur pa ngritjen e aktakuzave
para gjykatave të zakonshme, atëherë kjo do të përbënte sërish një njollë
në sundimin e ligjit. Përveç kësaj Obama nuk ka arritur ende të shpërbëjë
tribunalet e diskutueshme ushtarake.

Obama duhet të lavdërohet për publikimin e
disa dekreteve të fshehta të miratuara nga paraardhësi i tij Bush, në kuadër të
luftës antiterror. Në këtë mes Presidenti Obama është përkujdesur për
transparencën urgjentisht të nevojshme. Ndërsa fakti që askush nga sektori i
shërbimeve të fshehta, apo qeveria e Bushit nuk ka dhënë llogari juridike për
veprimet kundër të drejtave të njeriut është një çështje tjetër. 

Pozitivisht duhet vlerësuar edhe mbyllja e
kampit të fshehtë të CIA-s dhe transferimi i të dyshuarve kryesorë për
atentatet e 11 shtatorit 2001, në burgjet amerikane. Në luftën kundër
terrorizmit Obama ka trashëguar shumë probleme nga qeveria e Bushit. Presidenti
amerikan në kapërcimin e kësaj sfide të rëndë ka bërë vetëm një fillim - asgjë
më shumë. Shumë mbetet për t'u bërë dhe aleatët e tij duhet ta mbështesin atë
jo vetëm me fjalë paralajmëruese, por edhe me ndihma konstruktive si
përshembull duke pranuar të burgosurit e padënuar të kampit Guantanamo. /dw/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›