Shtatë vetëvrasje në dy javë

Ariana Kasapolli Selani
Prishtinë, 19 Janar - Statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se
dukuria e vetëvrasjes dhe tentim-vetëvrasjes, në dy javët e para të muajit
janar të këtij viti, ka qenë alarmante.
Sabrije Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thotë se që nga fillimi i
këtij viti, numri i të vetëvrarëve ka arritur në shtatë, ndërkaq rastet e
tentim-vetëvrasjeve kanë qenë të shumta.
Në bazë të raporteve ditore që janë të evidentuara, për rastet e vrasjeve dhe
tentim-vetëvrasjeve, na del se nga 1 janari janë raportuar 7 raste të
vetëvrasjeve dhe 15 raste të tentim vetëvrasjeve, thekson Kamberi.
Zëdhënësja e Policisë, Kamberi, thotë se vetëvrasjet janë kryer në forma dhe me
mjete të ndryshme.
Mjetet, të cilat përdoren për vetëvrasje, janë armët e zjarrit, hedhja nga
lart, litari, medikamente të ndryshme etj., thotë Kamberi.
Zëdhënësja Kamberi shton se gjinia mashkullore prin me rastin e vrasjeve,
ndërkaq që gjinia femërore prin me numrin e tentim-vetëvrasjeve.
Sipas saj, ka pasur mjaft raste kur personat kanë tentuar të vetëvriten më
shumë se një herë.
Në anën tjetër, sociologët vlerësojnë se arsyet që i shtyjnë njerëzit që të
vetëvriten janë të shumta. Milaim Nishori thotë se shkalla e vetëvrasjeve në
vend është një nga treguesit e gjendjes së kualitetit të institucioneve të
vendit, si dhe punës së tyre.
Nishori thekson se një nga faktorët kryesorë që i shtyn personat të vetëvriten,
është gjendja e rëndë ekonomike, ndërkohë që ai përmend edhe faktorë
tjerë.
Shkak i rritjes enorme të numrit (të vetëvrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve),
është edhe ndryshimi i mënyrës tradicionale të të jetuarit.
Vlerat tradicionale kanë rënë, ndërsa vlerat moderne ende nuk janë rrënjosur
sa duhet, kështu që jemi në një mes, as në stilin tradicional, as modern dhe
jemi në një humbje të identitetit ekzistencial, vlerëson Nishori.
Sociologu Nishori shton se nga institucionet kërkohet një qasje e drejtë ndaj
problemeve reale, në të cilat, sipas tij, qëndrojnë edhe shkaqet e
vetëvrasjeve.
Sipas Nishorit, ende janë të vërejtshme mbështetja e dobët emocionale e
fëmijëve brenda familjes dhe në shkolla, si dhe kujdesi i dobët institucional
për të rinjtë dhe nevojat e tyre
Ndryshe, Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se problemet
që shkaktojnë dukurinë e vetëvrasjes, duhet adresuar në një varg
institucionesh.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë merret me rehabilitimin psikik të atyre që
kanë dashur të bëjnë vetëvrasje.
Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të projekteve të veta për këtë vit,
parashikon edhe mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjeve, duke vazhduar edhe me
programe të tjera të trajtimit të të prekurve me sëmundje të shëndetit mendor.
Ministria menaxhon me disa shtëpi të integruara, ku trajtohen ata pacientë që
kanë dashur të bëjnë vetëvrasje, shpjegon Hoti.
Sidoqoftë, edhe gjatë vitit të kaluar statistikat tregojnë një nivel të lartë
të numrit të vetëvrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve.
Të dhënat e Policisë së Kosovës thonë se gjatë vitin 2009 janë raportuar 60
raste të vetëvrasjeve dhe 255 tentim-vetëvrasje. /rfe/