Këmbëngul në ndryshimin e Traktatit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, këmbëngul për nevojën e ndryshimit të Traktatit të BE’së, me qëllim të frenimit të krizës së borxheve në Eurozonë, pavarësisht rezistencës së fortë ndaj kësaj kërkese brenda Bashkimit Evropian.
Në fakt, Merkel pret nga shtetet anëtare të BE’së që t'ia japin institucioneve evropiane të drejtën e ndërhyrjes së kufizuar në buxhetet kombëtare, në mënyrë që të arrihet një monitorim shumë më i rreptë i zbatimit të rregullave të stabilitetit të euros.
“Shtetet që shkelin kriteret e stabilitetit të Marrëveshjes së Maastricht’it do të duhej t'iu nënshtroheshin sanksioneve”, theksoi Merkel para përfaqësuesve të ekonomisë, në Berlin.
Këtë të premte kancelarja Merkel takoi në Berlin kryeministrin britanik, David Cameron, me të cilin u konsultua lidhur me veprimet e mëtejshme për zgjidhjen e krizës financiare në BE.