Fobia e bllokimit të rrugëve dhe turizmi
Ing. Zak TOPUZI
Për të bërë “lajm” po krijojmë fobinë e rrugëve të bllokuara nga dëbora. Turren të gjithë televizionet të raportojnë sa më parë se “dëbora ka bllokuar rrugët, se filan rruge apo qafë është e pakalueshme, filan rrugë kalohet vetëm me zinxhirë, etj”. Thënë më shkoqur, shqiptarët e përkthejnë: mos lëvizni në dimër se do gjeni belanë. Kjo ishte situata e fundjavës, kur dëbora arriti deri në Elbasan e Tiranë. Unë kisha vendosur të udhëtoja këtë fundjavë, pavarësisht “këshillave”. Në hotelin e Pogradecit, ku kalova natën, ishin rezervuar të gjitha dhomat, por në darkë përfunduam vetëm pesë persona sepse të tjerët kishin anuluar fundjavën në Pogradec, të trembur nga lajmet për motin. Gjatë gjithë ditës, merrja telefonata nga miqtë, duke më qarë hallin, se si do të kisha mundur të arrija në Pogradec. Të nesërmen më këshillonin: mos u nis për në Korçë sepse radiot e stacionet televizive raportojnë që rrugët janë bllokuar dhe mund të lëvizësh vetëm me zinxhirë. Edhe vetë duke pirë kafen e mëngjesit shikoja lajmet shqetësuese e nuk iu besoja syve. Për çudi rrugët ishin të lira, madje pa dëborë pasi borëpastrueset i kishin pastruar ato gjatë natës. Ndoshta ky ishte udhëtimi më i këndshëm këtij dimri (rruga ishte pothuaj bosh). Nga një lokal në lartësi shikonim Korçën të mbuluar nga dëbora, nën rrezet e diellit dimëror. Këto janë lajmet më anti-turizëm që përhapin panik e pasiguri te njerëzit, që po pengojnë një traditë të re që po edukohet gradualisht, si “lëvizjet e fundjavës”.
Me datën 7-8 Shkurt udhëtova për në Kolashin me një grup miqsh. I harruam shpejt gropat e pakëndshme të krijuara nga punimet në zgjerimin e rrugës në pjesën shqiptare. Një tjetër situatë pas kufirit tonë, rrugës një shi i rrëmbyer që në afërsi të zonës turistike u kthye në dëborë. Asnjë shqetësim sepse nëpërmjet mesazheve në celular, çdo i huaj njoftohej për motin, temperaturat, reshjet e dëborës apo të shiut, sipas lartësisë dhe zonës ku kalonte. Gjatë gjithë natës ra dëborë dhe punonjësit e komunës qëndronin në gatishmëri duke pastruar rrugët dhe trotuaret me lopata e makineri, për të mos penguar qarkullimin e këmbësorëve që lëviznin gjatë gjithë natës. Nuk besoj se ky është një shtet më i konsoliduar dhe me fonde të mëdha, por duket se secili bënte punën e tij në kohën e duhur dhe si duhet pa u marrë me llafe. Borëpastrueset nuk e ndërprenë punën edhe natën. Gjatë gjithë ditës së nesërme vazhdoi të binte dëbore dhe nuk pati asnjë shqetësim. Për çudi rreth një e treta e turistëve ishin shqiptarë dhe kryesisht me makina të zakonshme. Pse kjo siguri për të shkuar në Mal të Zi dhe ky hezitim për të lëvizur brenda Shqipërisë?! Mendoj se e ka arsyen te përgjegjshmëria e një shteti të ri, ku të ardhurat kryesore vijnë nga turizmi dhe komunat e shohin veten në shërbim të turistëve e në detyrim për banorët e tyre që të sigurojnë të ardhura nga turizmi.
Më ka qëlluar shpesh të udhëtoj nëpër zonat e ndryshme të Shqipërisë gjatë fundjavave, në dimrin me dëborë. Vërehet e njëjta situatë konfuzioni, njerëz që lëvizin me makina pa zinxhirë e me goma të konsumuara, polici që nuk i ndalon por i lejon të ngjiten qafave dhe pa zinxhirë, punime në rrugë e ngushtime të tyre pa asnjë përgjegjësi, policë që rrinë duarkryq dhe bëjnë sehir deri sa situata të rregullohet nga vetë udhëtarët, drejtues komunash që pinë nëpër lokale pa u shqetësuar për situatat e krijuara. Shembulli tipik ishte 20 dhjetori i vitit 2009. Isha nisur për një dasmë në Korçë. Dëbora filloi që në Përrenjas. Borëpastrueset punonin pa pushim dhe hidhnin kripë. Deri në zbritje të Qafë-Thanës asnjë shqetësim, të gjitha makinat kalonin në rresht. Në zbritje, në afërsi të fshatit Lin, një ngushtim rruge nga punimet solli bllokimin e trafikut për rreth dy orë. Policia lejonte kalimin e çdo makine me apo pa zinxhirë dhe kjo solli rrëshqitjen e disa veturave (kryesisht me emigrantë). Asnjë mjet për t’i tërhequr apo lëvizur nga rruga, askush nuk u vu para përgjegjësisë, asnjë kryetar komune nuk doli në televizor apo në shtypin e përditshëm të vinte para përgjegjësisë shkaktarët. Gjendja do të përsëritet si gjithmonë e do të mjaftohemi me thëniet se filan rrugë apo qafë është e pakalueshme, filan rrugë kalohet vetëm me zinxhirë etj, pa nxjerrë konkluzione për të vërtetën, pa u gjobitur apo vënë përpara përgjegjësisë askush. Dhe përsëri lajmet kryesore do të vazhdonin: “të hapen apo të mos hapen kutitë”, përsëri biznese që do të mbeten pa punë, pasi njerëzit do të hezitojnë të lëvizin, përsëri njerëz të zgjedhur në pushtetin vendor, bashki apo komuna që nuk mendojnë për bizneset dhe banorët e tyre. Me siguri asgjë nuk do të ndodhë, kur të gjithë ne do të bëjmë punën që na takon.
*President i Sektorit Hotelier, Shoqata Shqiptare e Turizmit - ATA