Kemi fatin e madh të bëjmë atë muzikë që na pëlqen
Evropës ai i ka rënë kryq e tërthor. Fëmijë si violinist virtuoz, tani si pjesë e “Trios Bravo+”. Gjergj Radoja është pianisti i trios, që në fakt është një kuartet artistësh që bëjnë muzikë. Çfarë muzike?
Dy muajt e fundit kanë qenë më të qeta për Trion Bravo+. Mbasi erdhën vërdallë nëpër botë, që nga nëntori i 2006 deri në qershor të 2008, artistët kanë shkuar nëpër shtëpira. Në mes të këtij muaji ata do të mblidhen sërish për të dhënë koncert në Jena. Giorgio, pianisti i grupit: “Tani nuk kemi shumë koncerte, këtë muaj janë vetëm katër, muajin tjetër kemi tre. Unë jam dy javë në Tiranë pasi nuk kam qenë nja dy vjet atje dhe në shtator jemi në turne deri në fund të nëntorit.”
Giorgio Radoja, është njëri nga katër artistët, që vijnë nga katër vende të ndryshme dhe “që kanë rrënjë evropianolindore”, shkruan kritika. Kurse për Giorgion shkruan se është me prejardhje multinacionale.
Çfarë është kjo prejardhja mutlinacionale? “Ta tregojë unë historinë time. Unë kam ikur nga Shqipëria 10 ose 11 vjeç. Kam studiuar në Milano katër vjet, pastaj erdha në Gjermani. Këtu nuk e flisnin dot emrin tim dhe meqë unë vija nga Italia, dhe aty shkruhej Giorgio, dhe më quajtën edhe këtu Giorgio. Ka ardhur nga gazeta dhe revistat. Pjesa më e madhe nuk e kuptojnë që unë jam vetëm shqiptar, kujtojnë se jam italian, më ngatërrojnë dhe fusin aty multinacional. Në çdo intervistë unë them që kam studiuar në Itali, por nuk vij prej andej, unë kam lindur në Shqipëri. Vetëm se u duket më interesante këtyre këtu që të thonë se është multinacional se sa të thonë që është shqiptar”,- thotë Gjergji Radoja.
Pra, një nga karakteristikat e grupit është multinacionaliteti që në fakt ka të bëjë jo vetëm me prejardhjen e tyre, por edhe me muzikën. “Ne bëjmë muzikë, aty ka nja dy tre pjesë që janë në mënyrë lindore, sepse ky violinisti është rus dhe çifut dhe ai ka futur disa motive të tilla, si dhe unë fus motive shqiptare, jo shumë folkloristike, por merret vesh kur luaj piano, dëgjohet si muzika jonë. Secili fut nga një pjesë të veçantë, edhe pse në mënyrë specifike ne nuk bëjmë muzikë folkloristike, kështu që e kemi shumë të vështirë që të shpjegojmë se çfarë muzike bëjmë ne”,- thotë Gjergj Radoja
Që prej shfaqjes në Gjermani të Bregoviçit, muzika evropianolindore këtu ka marrë atë ngjyrim dhe shpesh “marka muzikë evropianolindore” mbulon edhe muzikë kiç. “Gjermanët dhe gjithë të tjerët e quajnë muzikë evropianolindore, sepse ata nuk e krahasojnë dot me gjë tjetër. Ka kritika më të kultivuara, ku e krahasojnë me muzikë filmi ose me Yan Tiersen, ose me diçka të tillë si Philip Glass. Janë komponistë filmash që kanë muzikë skurrile, që nuk merret vesh që është etnike, është folkloristike, a është gjermane. Në këtë llojë muzike na fusin dhe ne.”
“Trio bravo+” luan me instrumenta klasikë në mënyrë akustike, ata nuk përdorin vegla elektronike. Por muzika që ata bëjnë është pak ndryshe nga ajo klasike. Si është?
“Është muzikë ”Triobravo+”. Është shumë e vështirë për ta krahasuar, sepse në jemi katër veta, më mirë, tre se i katërti nuk kompozon, jemi tre veta që kemi fatin e madh të bëjmë atë muzikë që na pëlqen. Ne kompozojmë ato gjëra që na pëlqejnë, komplet, pa asnjë lloj barriere dhe shyqyr zotit kjo muzikë, i pëlqen edhe njerëzve. Së bashku, në se ne na shikon së bashku, ne kemi markën tonë. Nuk ke si e krahason dot me diçka tjetër",- thotë, Gjergj Radoja.
Megjithëse është e vështirë të thuhet se çfarë muzike është e vështirë nuk është të thuhet se muzika e tyre pëlqehet. Ajo luhet në koncerte, kompozohet për filma, shoqëron teatro ose inskenime të suksesshme.
Deutsche Welle
Thënie e ditës
“Për t’ia dalë në jetë, njeriu duhet të bëjë një fëmijë, të shkruajë një libër dhe të mbjellë një pemë.”
Compay Segundo