E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kënaqësitë e brendshme nuk varen nga gjeografia

Të hënën, në PriFilmFest u mbajtën dy takime, me aktoren e mirënjohur serbe, Mirjana Karanovic - e cila luajti në filmin serb “Here and There”; dhe me regjisorin iranian po ashtu pjesëmarrës në PriFilmFest, Nder Homayun. Nga Albana S. Muja më 27 shtator 2011 në ora 17:13

PriFilmFest, po i thyen barrierat politike. Të dielën mbrëma edhe Serbia u shfaq si pjesë e Kinemasë së Ballkanit, në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për filmin “Here and There”, të regjisorit Darko Lungulov. Ndërkohë, gjatë paradites së të hënës, një takim me miq dhe media mbajti edhe aktorja e njohur serbe tek ne, Mirjana Karanovic, e cila luan njërin prej roleve kryesore në filmin “Here and There”.

Shumë e afërt në bisedë me aktorin Enver Petrovci, Karanovic fliste hapur për jetën dhe veprën e saj, derisa njëkohësisht zinte në gojë shpesh edhe raportet politike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ende pa u ndalur te filmi, Petrovci e provokonte herë-herë, qoftë edhe duke ia kujtuar asaj ditët e shoqërimit kolegial mes tyre, derisa në të njëjtën kohë kapte momente për të cilat Karanovic fliste me nostalgji.

Ajo sqaroi se për të arritur deri këtu ku është sot i është dashur të luftojë gjatë për të treguar talentin e saj, dhe se puna për të ka filluar tek pasi ka përsëritur suksesin nga loja në filmin e parë, kur edhe ka marrë ftesa për krijime tjera - qoftë në film apo dhe teatër. Megjithatë, Karanovic fliste në formë të veçantë për teatrin. Sipas saj, ajo shumë shpesh ka luajtur role të nënës.

“Kam luajtur rolin e nënës myslimane, kam luajtur edhe rolin e nënës shqiptare, sepse loja në skenë nuk njeh kombësi. Nëna është nënë, dhe ato kanë një sjellje identike ndaj fëmijës së tyre. Kështu që kur akuzohesh, thyhesh dhe ndjehesh e vetmuar”, nënvizoi ajo.
Karanovic shtoi edhe atë se kurrë nuk do të pranonte të jetë pjesë e urrejtjes, negative. Veç tjerash, aktorja serbe dëshiron që të lëvizë lirshëm në profesionin e saj, andaj edhe përkujtoi se si për çdo muaj shkon të luajë në Sarajevë. Ndërkohë bëri të ditur se aktualisht janë dy apo tri projekte në Beograd, në të cilat luajnë aktorë nga Sarajeva.

E përderisa po fliste për Kosovën, Karanovic tha: “Unë nuk dëshiroj që të humbas jetën duke pritur një jetë më të mirë, prandaj nëse pres që kosovarët me serbët t’i rregullojnë raportet mes tyre, kjo kohë do të më humb”, u shpreh ajo. Përderisa, kur u pyet për temën e filmit “Here and there”, Karanovic sqaroi se për dikë në Beograd, New Yorku është një ëndërr, e për disa të tjerë është e kundërta.

“Kënaqësitë tona të brendshme nuk varen nga gjeografia, sepse s’ka rëndësi ku jeton por me kë jeton”. Krejt në fund, Karanovic pohoi se ndihet mirë në Kosovë, dhe se do të jetë këtu sa herë që e ftojnë. Enver Petrovci i bëri thirrje që të mendojë për ndonjë bashkëpunim në Kosovë me aktorët serbë dhe kosovarë, sepse këtu, sipas tij, ideja e saj do të kalonte.

“Here and there” flet për Robertin, një njujorkez të lodhur e në moshë të shtyrë, i cili shkon në Serbi që të fitojë ca para shpejt, duke u martuar me dikë për nënshtetësi amerikane. Por plani i shkon keq kur paratë e premtuara nuk i mbërrijnë kurrë.

Njëkohësisht, i riu serb, Branko, lufton betejën e tij në New Yorkun, duke provuar dëshpërimisht që atje të sjellë të dashurën e tij nga Serbia.

Vetëm një orë më vonë u mbajt edhe konferenca tjetër, me regjisorin iranian, Nder Homayun, me të cilin u fol rreth filmit “Nader and Simin, a Seperation”, i cili u shfaq të dielën në Kinemanë ABC.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›