“Dashuria në mëkat” e Fatosit
“Dashuri në mëkat”. Kështu do të quhet kënga e re e Fatos Kryeziut, por jo e fundit, klipi i të cilës pritet të realizohet në muajin tetor.
Edhe pse klipi i kësaj kënge do të realizohet tani, kjo faktikisht ishte dhe do të mbetet kënga e parë e Fatosit, me të cilën ai edhe e kishte sprovuar veten si këngëtar, shumë kohë para se të bëhej i njohur si aktor.
Edhe pse ishte planifikuar që në këtë këngë të këndonte Argjentina Ramosaj, Fatosi ka thënë se nuk do të ndodhë kjo.
“Jo, nuk do të jetë Argjentina. Kënga është një ripërpunim i këngës që në atë kohë ka qenë më ndryshe sepse është kënduar unppluged. Kënga është një rok baladë”, tha Fatosi për Express.
“Do të jetë një këngë që nuk do të konkurrojë në ndonjë festival, pasi që është një këngë për qejf dhe ashtu siç është bërë edhe do të shfaqet në televizionet tona”.
Por, kjo këngë për Fatosin ka një histori të gjatë.
“Dashuri në mëkat” është kënduar për herë të parë si singel unplugged në valët e Radio Prizrenit në vitin 2001 dhe aso kohe ishte shndërruar në hit të rinisë prizrenase.
Versioni i ri i këngës është i përpunuar si një baladë me motive të rokut, më saktësisht rok alternativ dhe teksti i këngës ka të bëjë me dy të dashuruar, që fjalët e “hallkut” nuk i lënë për t’u martuar.
Kryeziu thotë se tekstin e ka shkruar dramaturgu Albatros Rexhaj.
I pyetur për këtë, dramaturgu Rexhaj thotë se nuk shkruan tekste këngësh, po meqë e ka mik Kryeziun, e bëri këtë.
Premisa kryesore e këngës është se dashuria është më e fortë se të gjitha ndalesat dhe pengesat tjera.
“Unë nuk shkruaj tekste të këngëve, por para shumë viteve me Fatosin së bashku i kemi punuar katër balada. Që të këndojë balada, njeriu duhet të besojë në dashuri dhe Fatosi gjithnjë e ka bërë këtë. Nuk kam asnjë dyshim se kënga do të jetë një sukses i madh sepse i drejtohet të gjithë atyre që për arsye të presionit nga rrethi janë detyruar të heqin dorë nga një dashuri në jetën e tyre, sepse janë penguar qoftë nga familja apo rrethi”, tha për Express tekstshkruesi i këngës Albatros Rexhaj.
Ndihet mirë në kafene
Aktori Fatos Kryeziu po ashtu ka thënë se ndihet shumë mirë me karakterin e tij te “Kafeneja e jonë”, të cilin çdo herë përpiqet që ta luajë sa më mirë që mundet.
“Tani kemi filluar me ‘Kafenenë tonë’. Nuk do të ndërroja diçka në karakter, por do të përpiqesha ta luaj edhe më mirë se tani”, tha Kryeziu për njërin prej karaktereve më të komentuara nga serialet kosovare.