E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon PD: Edi Rama vazhdon të maskojë humbjen, këtë herë sulmon projektet energjetike

Partia Demokratike akuzon kryesocialistin Edi Rama se vazhdon të fshehë humbjen dhe të shpërqendrojë vëmendjen e armiqve të tij në PS, për t’i shpëtuar një largimi të mundshëm nga drejtimi i partisë. Selia e PD-ës, i konsideroi sulmet e djeshme të Ramës, nëpërmjet Blendi Klosit, ndaj projekteve energjetike, si përsëritje rigoroze e deklaratave tipike të tij, për të fshehur dështimin më 28 qershor dhe sulmuar çdo iniciativë të qeverisë, madje edhe sulme familjare, duke treguar kështu konceptin dhe moralin e tij të munguar familjar. 

“Edi Rama sërish për të maskuar humbjen pa u skuqur u deklaroi shqiptarëve se TEC-et me qymyr janë të ndaluara dhe nuk ndërtohen në Evropë ndërkohë që në Gjermani janë në ndërtim 3 të tilla, në Itali 2, Holanda, Polonia dhe një sërë vendesh të tjera po i ndërtojnë ato”, tha dje zëdhënësja e PD-ës. 

Ajo vuri në dukje se Edi Rama, duke përdorur zëdhënësin e tij të radhës, vijoi sulmet edhe ndaj familjes së kryeministrit Berisha. “Po kështu pa u skuqur nxori zëdhënësin maskë të tij dhe ndërmori sulmet e radhës familjare kundër Kryeministrit. PD i thotë Rama se sulmet e tua të përditshme familjare tregojnë vetëm konceptin dhe moralin tënd familjar. Ne nuk kemi ndërmend t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Ato e morën përgjigjen nga shqiptarët më 28 qershor”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.

Ndërsa për sa i përket Parkut energjetik të Porto Romanos, zëdhënësja e PD-së tha se “ajo çka mund të themi është se për sa do që të mundohet kryetari i opozitës të krijojë dhe të sajojë akuza nga hiçi, projektet për industrializimin e vendit nuk do mund t’i pengojë dot”. 

Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se PS nuk do të lejojë ndërtimin e TEC-it në Porto Romano, në Durrës, se ky TE-c, sipas tij, dëmton ekonominë e një komuniteti të tërë, helmon fëmijët si të demokratëve dhe të socialistëve durrsakë si dhe bie ndesh me të gjitha standardet evropiane.

Një javë më parë, në mbledhjen e radhës, KRRTRSH-së miratoi masterplanin për zhvillimin e integruar të zonës energjetike dhe industriale të Porto Romanos, në Durrës, infrastrukturën dhe konturet e saj. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›