E Shtunë, 31 Tetor 2026

Keqformimet e zemrës, 450 raste të reja në vit

04/07/2011  Shkak janë infeksionet virale që kalon nëna gjatë shtatzënisë, rrezatimet radioaktive faktorët gjenetik etj

Alarmi: 8 në 1000 foshnja lindin çdo vit më probleme në zemër. Si mund të parandalohen

Pranvera Kola

Mosndjekja e kujdesshme e ecurisë së shtatzënisë te shumë gra ka bërë që një numër i konsiderueshëm foshnjash të lindin me keqformime të zemrës. Sipas mjekëve, pjesa dërrmuese e këtyre rasteve duhet t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për të shmangur komplikacionet fatale. Fatkeqësisht, ky fenomen po shfaqet shqetësues nga viti në vit, pasi është vënë re një rritje e shpejtë e numrit të foshnjave që lindin me deformime të zemrës. Të dhënat e bëra publike nga shërbimet spitalore tregojnë se 8 në 1000 lindje janë të prekura nga kjo patologji. Kundrejt këtyre rasteve mjeku kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Arben Baboçi shpjegon se pjesa më e madhe e foshnjave kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, ku më të shpeshtat që realizohen janë vrima në zemër si dhe ato që kanë të bëjnë me ngushtimin e enëve të gjakut. Sipas mjekut, është e këshillueshme që kryerja e këtyre ndërhyrjeve të bëhet sa më herët në kohë. “Rreth 8 në 1000 lindje manifestojnë këto komplikacione, që do të thotë se në një vend si yni, ku kemi rreth 50-55 mijë lindje në vit, 400-450 do të kenë me të tilla probleme, nga të cilët 250-300 do të kenë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.” Shkaqet që ndikojnë në shtimin e këtyre rasteve pohohet të jenë të shumta, të cilat nuk lidhen vetëm me faktorët gjenetikë, pasi në masë shqetësuese po bëhen edhe faktorët ambinetalë. Kundrejt këtyre situatave mjekët apelojnë që të tregohet kujdes veçanërisht në ndjekjen e procesit të shtatzënisë, ku kryerja e vizitave te mjeku specialist sa më herët është çelësi më i mirë për parandalimin e rëndimit të këtyre komplikacioneve te foshnjat e vogla që do të lindin. Për të shmangur sa më herët këto probleme, nënat duhet të tregohen të kujdesshme që gjatë ndjekjes së muajve të parë të shtatzënisë. Ndaj mjekët këshillojnë që kujdesi më i madh të tregohet gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë. Po ashtu kujdes i veçantë duhet treguar edhe ndaj infeksioneve virale që nënat mund të kalojnë. Kjo pasi infeksionet virale që nëna kalon gjatë shtatzënisë, rrezatimet radioaktive, predispozicioni gjenetik apo sëmundja e hipertensionit mund të bëhen shkak për krijimin e keqformimeve të lindura. Gjatë viteve të fundit është bërë e mundur edhe sjellja e aparaturave që ndihmojnë në evidentimin e shpejtë të këtyre komplikacioneve. Evidentimi dhe trajtimi i defekteve të lindura në zemër mund të diagnostikohen më herët edhe pranë dy materniteteve në kryeqytet, nëpërmjet një EKO-je që në embrionin e nënës. “Çdo grua shtatzënë deri në javën e 20-të të shtatzënisë duhet të bëjë patjetër një EKO fetale për kontrollin e zemrës fetale për të parë zemrën e fëmijës dhe jo një EKO thjesht për të parë fëmijën në përgjithësi. Të gjitha mund të diagnostikohen. Po të flasim për Tiranën, ekziston mundësia dhe në qytet kemi 10 mijë lindje në dy maternitetet e Tiranës”, - shton më tej Baboçi. Sipas mjekëve pediatër dhe kardiokirurgëve, këta fëmijë pas ndërhyrjeve kirurgjikale vazhdojnë jetën normalisht.

Shkaktarët që çojnë drejt keqformimeve të zemrës

Specialistët thonë se shkaqet më të shpeshta për keqformimet e zemrës te fëmijët e porsalindur janë disa, ku klasifikohen sëmundja e trashëguar ose predispozicioni gjenetik, infeksioni viral që nëna kalon gjatë shtatzënisë, sëmundja e hipertensionit. Për krijimin e keqformimeve të lindura ndikojnë edhe rrezatimet radioaktive që një grua mund të marrë gjatë shtatzënisë së saj. Ndër sëmundjet më të shpeshta vihet re tetralogia fallot (sëmundja e fëmijës së mavijosur), defekti (vrima) në atriumet e zemrës (ASD-defekti i septumeve atrial-parabarkusheve), vrima në ventrikul (barkushe), defekti i septumit ventrikular (VSD).

Si mund të dallohen defektet në zemër

“Çdo grua shtatzënë deri në javën e 20-të të shtatzënisë duhet të bëjë patjetër një EKO fetale për kontrollin e zemrës fetale për të parë zemrën e fëmijës dhe jo një EKO thjesht për të parë fëmijën në përgjithësi. Mjeku pohon se të gjitha mund të diagnostikohen. Sipas tij, sa më herët të zhvillohen ndërhyrjet kirurgjikale te fëmijët e prekur, aq më mirë është, sepse fëmija pas ndërhyrjes mund të bëjë një jetë të shëndetshme, duke qenë se është rregulluar dhe defekti i lindur. Po ashtu nënat duhet të tregojnë kujdes maksimal gjatë ndjekjes së shtatzënisë dhe veçanërisht në tre muajt e parë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›