E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesat për dietat dhe pushimet e SHKB-së

04/07/2011  Ndryshimet nga qeveria, dokumentet e kërkuara

TIRANË- Qeveria, me propozimin e ministrit të Brendshëm, ka miratuar së fundmi disa ndryshime për dietat dhe pushimet e punonjësve të SHKB-së (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm), në Ministrinë e Brendshme. Kështu, punonjësi i SHKB-së, kur caktohet në punë jashtë vendbanimit të vet, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon: Nga 36 km deri 60 km, në masën 3 000 lekë në muaj, nga 61 km deri 100 km, në masën 5.000 lekë në muaj, nga 101 km deri 150 km, në masën 8.000 lekë në muaj, nga 151 km deri 200 km, në masën 10.000 lekë në muaj, mbi 200 km, në masën 15.000 lekë në muaj. Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të SHKB-së, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin që përkon me juridiksionin e njësisë strukturore të SHKB-së, në nivel vendor (në rrethin qendër qarku), ku punonjësi është caktuar. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 1 të këtij vendimi, punonjësi i SHKB-së paraqet, në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse të SHKB-së këtë dokumentacion. Së pari, kërkesën me shkrim, me gjeneralitetet e plota, në të cilën të përcaktohen organi ku ka punuar përpara caktimit me punë në strukturën e re, data e emërimit apo transferimit, motivi i transferimit (në rast transferimi), adresa ku banon aktualisht familja e tij, adresa ku banon përkohësisht vetë punonjësi, fotokopjen e kartës së identitetit, certifikatë e gjendjes civile, personale dhe familjare, vërtetimin nga komuna/njësia bashkiake/bashkia, ku të vërtetohet se ku banon familja e punonjësit të SHKB-së, si dhe vetë punonjësi, pavarësisht nga gjendja civile. Kur punonjësi i SHKB-së caktohet në punë jashtë vendbanimit të vet dhe, për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën 50% të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune nga 3 muaj deri në 1 vit, 100% të pagës mujore minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 vit deri në 10 vjet, 100% të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150% të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 (dhjetë) vjet. Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 3 të këtij vendimi, punonjësi i SHKB-së paraqet në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse të SHKB-së, këtë dokumentacion. Kërkesën me shkrim me gjeneralitetet e plota, në të cilën të përcaktohen, organi ku ka punuar përpara caktimit me punë në strukturën e re, data e emërimit apo transferimit, motivi i transferimit (në rast transferimi), adresa ku ka banuar, adresa aktuale ku banon pas caktimit në detyrën e re, qendra e punës ku ka punuar bashkëshortja/i, data dhe shkaku i largimit nga puna, librezën e punës së bashkëshortes/it, ku të jetë cilësuar largimi nga puna për arsye të caktimit në detyrën e re të bashkëshortes/it, vërtetimin nga zyra përkatëse e punësimit, ku të vërtetohet se bashkëshortja/i është regjistruar si punëkërkues i papunë dhe atij/asaj nuk i është ofruar punë në profesionin e saj/tij. Këtë vërtetim punonjësi e paraqet çdo tre muaj. Përveç të drejtës për shpërblim në fund të vitit financiar punonjësit të SHKB-së, në kompensim të privacioneve dhe humbjeve, që i krijohen për shkak të kryerjes së detyrave e shërbimeve të veçanta në luftën kundër korrupsionit dhe shkeljeve të tjera të ligjit, i jepet shpërblim deri në 1 pagë mujore në vit. Personeli me grada i SHKB-së gëzon të drejtën e pushimit vjetor të pagueshëm. Kështu caktohen 45 ditë për punonjësit e nivelit të lartë drejtues, me gradë Drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i SHKB-së, 40 ditë për punonjësit e nivelit të mesëm drejtues, me gradë Drejtues i Parë i SHKB-së dhe Drejtues i SHKB-së, 35 ditë për punonjësit e nivelit të parë drejtues, me gradë hetues i parë, dhe punonjësit e nivelit zbatues, me gradë hetues dhe 30 ditë për punonjësit e nivelit zbatues, me gradë agjent i parë, agjent dhe asistent.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›