Balliu dhe Delijorgji ndërtuan Fabrikën e Vdekjes në Gërdec
Fahri Balliu, njeriu i afërt i kryeministrit Berisha, dhe Mihal Delijorgji, i akuzuari për vrasje masive në Gërdec, kanë ndërtuar së bashku fabrikën famëkeqe të demontimit. Skandali provohet nga dokumentacioni autentik. Balliu dhe Delijorgji kanë nisur punë në Gërdec të paktën që më 28 prill 2007, pa asnjë shkresë zyrtare. Për këtë Gjeneral Brigade Astrit Jaupi vë në dijeni Komandantin e Forcës ushtarake, Shpëtim Spahiu, me anën e një shkrese të veçantë, (FAKSIMILE 1) ku thuhet:
“Siç jeni në dijeni, më datë 28.04.2007, në Gërdec ka filluar punën firma private “Trans Digging Construction”.
Ju lutem dërgoni shkresën zyrtare për këtë problem”.
Gjithashtu, po me anën e këtij dokumentacioni provohet se ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ishin në dijeni të plotë të veprimtarisë kriminale që po zhvillohej në Gërdec. Në një shkresë drejtuar zotërinjve Mediu dhe Hoxha nga komandanti i Policisë Ushtarake, nënkolonel Drini Nikolla, (FAKSIMILE 2), thuhet shprehimisht se:
“Më datë 28 prill 2007 u informuam se në repartin ushtarak numër 3351, Maminas (Objekti Gërdec), nga ana e përfaqësuesve të një firme private ishin filluar disa punime brenda në territor të repartit.
Nga verifikimet e bëra rezulton se me urdhër gojor të komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar, gjeneral Brigade Shpëtim Spahiu, nga ana e firmës “Trans Digging Construction” do të kryhen punime për interesa të Forcave të Armatosura. Aktualisht në këtë objekt janë prishur tri godina, për të cilat deri më datë 26 maj 2007 nuk ka pasur urdhër me shkrim nga komanda e Forcës së Bashkuar. Konkretisht, është prishur terreni sportiv, infermieria dhe lokali i repartit.”
Pra, shihet qartë se Fari Balliu dhe Mihal Delijorgji kanë shembur për disa muaj repartin ushtarak pa asnjë urdhër apo bazë ligjore, duke e konsideruar Gërdecin si mallin e tyre. Më pas ata kanë ndërtuar aty Fabrikën e Vdekjes që i mori jetën 26 personave dhe plagosi rreth 300 të tjerë.
***
Një tjetër dokument që “Faktori Plus” ka siguruar, provon përfundimisht se arkitektët e Gërdecit, shumë kohë përpara se të dilte vendimi i qeverisë për fabrikën e demontimit, kishin vendosur selinë e kompanisë së tyre pikërisht në Gërdec. Në këto dy faksimile (FAKSIMILE 3 dhe 4), ortakja e Balliut dhe Delijorgjit, Flora Xhillari, përpara noterit, merr numrin e NIPT-it të shoqërisë “AlbaDemil”, ku dallohet qartë adresa e kompanisë. Flora Xhillari, e cila është administratorja e “AlbaDemil” dhe “Trans Digging Construction” (FAKSIMILE 5), gjithashtu provon lidhjet e pakundërshtueshme mes Delijorgjit, Balliut dhe zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar.
Heshtja e prokurorisë
Nga dokumentacioni del që Prokurorja e Përgjithshme, zonja Ina Rama, së bashku me prokurorët e dosjes “Gërdeci’, si Zamir Shtylla, Sokol Stojani, Kujtim Luli, Arqile Koca etj., kanë pasur dijeni mbi këto dokumente dhe fakte, dhe madje i kanë marrë dhe me procesverbal, por del fare qartë se këta prokurorë më e pakta nuk janë thelluar aspak mbi firmën “Trans Digging Construction”, ose nga padija, ose nga frika, dhe me e keqja dyshohet se kanë pranuar të bëjnë kompromis me politikën duke mos hetuar mbi këtë firmë që i ngjan një Kutie Pandore.
Të katër aksionerët e kësaj firme, i pesti ndodhet në paraburgim, nuk janë thirrur për të dëshmuar qoftë dhe njëherë të vetme në prokurori. Ky është së paku një devijim mbi hetimin e thelluar të Gërdecit, dhe së shumti është një marrëveshje e heshtur mes politikës dhe prokurorisë.
Gjithashtu, në një nga dokumentet bashkangjitur vërtetohet që kjo firmë, pra “Trans Digging Construction”, ka pasur lidhje ose të paktën kishte njohuri mbi aktivitetin e “AlbaDemil”, pasi një nga aksionaret, Flora Xhillari, i ka dorëzuar në studion e noterisë Mallguçi & Sadushaj, një prej notereve NIPT-in e kompanisë “AlbaDemil”. Pra, një aksionere e “Trans Digging”, i dorëzon një firme noterie NIPT-in e “AlbaDemil” dhe nga ana tjetër, këto dy firma kanë të përbashkët mbiemrin Delijorgji dhe aktivitetin e tyre në ish-repartin ushtarak të Gërdecit. Pra, e thënë hapur, “Trans Digging Construction” ndërtoi “fabrikën” në Gërdec, ndërsa “AlbaDemil” zhvilloi demontimin e municioneve. Kjo është shumë domethënëse dhe sa më shumë të gërmohet, aq me afër duken lidhjet biznes-politikë dhe rrjedhimisht aq më e paaftë del prokuroria.
Nuk është aspak e vërtetë ajo që deklaroi Fahri Balliu në konferencat e tij për shtyp, në gazetën e tij dhe në emisionin “Zonë e Lirë”, që ajo firmë nuk kreu asnjë ditë gërmime dhe nuk zhvilloi asnjë ditë aktivitet. Nuk e kuptojmë se si mund të mbrohet ky njeri nga këto fakte të pakundërshtueshme.
Dikush nga politika dhe nga prokuroria duhet të mbajë përgjegjësi për fshehjen e fakteve të pakundërshtueshme të kësaj firme dhe mosthellimin e hetimeve ndaj kësaj firme dhe njerëzve që fshihen pas saj. I bie që prokuroria gjatë një viti hetimi të Gërdecit të jetë kthyer thjesht në një fotokopjuese e palodhur dokumentesh, në çdo zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, komandave dhe reparteve ushtarake, por vetëm kaq dhe asgjë më shumë.
Balliu: Firma “Trans Digging” vdiq, ditën që lindi
Fahri Balliu i është përgjigjur fakteve të publikuara në media, duke deklaruar se firma “Trans Digging” ka qenë një firmë e vdekur. Por, të dhënat që po publikojmë sot, tregojnë krejt të kundërtën, se firma ka qenë aktive dhe ka ndërtuar Gërdecin, ndërsa ka dyshime dhe të dhëna se ajo ka bërë të tjera punime në objekte të rëndësishme infrastrukturore.
“Ju bëj me dije se në shkurt të 2006, vajza ime ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgji për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza ime dhe as unë nuk kemi asnjë lidhje me këtë firmë, e cila vdiq, sa lindi. Unë posedoj të gjithë dokumentet e lëvrimit financiar dhe në këto dokumente emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë.
Të bësh biznes, dhe jemi në 2006 në rastin në fjalë, nuk është një gjë e ndaluar me ligj. Por, ky biznes, sipas medieve dhe sipas qarqeve politike, u dashka bërë me njerëz me biografi të mirë ose të keqe. Unë mendoj se ky sulm është i denjë thjesht për shfaqje të huaja dhe dokumentet e krijimit të kësaj ndërmarrjeje kanë qenë me kohë në prokurori: është studiuar, analizuar dhe është parë që nuk ka asnjë gjë në ngarkim timin apo të familjes sime”, - deklaroi Balliu, i cili ia la përgjegjësinë vajzës për hyrjen në pronësi me Delijorgjin.
Balliu ia dhuron aksionet Delijorgjit ditën e botimit të skandalit
Fahri Balliu, botues i gazetës pro-qeveritare “55”, i njohur si njeri i afërt i kryeministrit, Sali Berisha, ia ka dhuruar Delijorgjit 20 për qind të aksioneve të tij në kompaninë “Trans Digging Construction”, ditën kur mediet bënë publik skandalin.
Të dhënat janë lehtësisht të verifikueshme. Vetëm dy javë më parë, kompania “Trans Digging” kishte si ortake vajzën e Balliut, Henris, e cila kishte 20 për qind të aksioneve.
Ndërsa para një jave, të dhënat e firmës tregojnë ndryshimet e bëra në mëngjes herët për shkak të publikimit të skandalit. Balliu ka dhuruar aksionet e tij, duke u tërhequr kështu nga firma, ndërsa aksionerë vazhdojnë të jenë vëllezërit Mihal e Kristo Delijorgji dhe përfaqësuesja ligjore, Flora Xhillari.
Ndryshimet janë bërë në datë 8 prill. Aksionet i kanë kaluar Kristo Delijorgjit, i cili është marrë me urgjencë për të kryer veprimet. Kjo është konfirmuar dhe nga drejtuesit e Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve.