Keqpërdorimi publik dhe politik i historisë
Ndriçim Kulla
Debati mbi përdorimin publik të historisë pati një përdorim të madh, duke pësuar një përshpejtim të fortë të determinuar nga ngjarjet e vitit 1989-1991, me rënien e regjimeve totalitare dhe komuniste. Dhe rezonanca e tij u ndje shumë edhe në Shqipëri, veçse e deformuar dhe e keqpërdorur qoftë nga mediat, qoftë nga politika. Në momentet e transformimeve dhe çoroditjeve të mëdha, siç është epoka që filluam të jetojmë pas shembjes së komunizmit, në momentet kur axhenda e një faze historike të jetës publike duket të perëndojë dhe faza e re të ndeshet me vështirësi të mëdha për t’u afirmuar, atëherë hapen shtigje të mëdha që pjesëtarët e opinionit publik, medialogët dhe politikanët të kërkojnë të gjejnë tek rrëfimi i imazheve publike të së shkuarës, sigurinë e tyre përgjatë këtyre kohërave të vështira, pasi për ta, e shkuara duket të jetë një “depozitë e madhe leksionesh” për të ndriçuar atë çka u nevojitet, për të riforcuar rrënjët e shthurura, identitetet e çarë dhe ndjesitë e ligështuara të përkatësisë së njerëzve ndaj forcave të caktuara politike.
Ka nis kështu procesi i shndërrimit të përdorimit publik të historisë në një përdorim të gjerë politik të saj, një fenomen ky që ashtu siç pati rrezikun të përhapej në përmasa relative nëpër të gjithë vendet e Evropës Lindore e disa të veçanta të Perëndimit (si Gjermania dhe Italia), ka egërsinë dhe kryeneçësinë të mbizotërojë sovran në skenën tonë publike dhe politike, deri në momentin e madje dhe në vijim të një thirrjeje politike për rishikim.
Atëherë, për ç’arsye mund të përdoret politikisht historia?
Për arsye të vetë-legjitimimit të forcës së vet politike, ose ndryshe të kryerjes së këtij legjitimimi në kurriz të delegjitimimit të forcës tjetër politike. E kjo për faktin se historia në këtë situatë paraqitet si një instrument i jashtëzakonshëm. Ajo mund të trajtohet, -ashtu siç është bërë rëndom tek ne, - si një supermarket i madh, si një magazinë ku shume analistë, gazetarë, njerëz që kujtojnë a që interpretojnë si të duan, bëjnë që me çmime shumë të ulëta të japin gjithçka që ajo mund të ofrojë. Madje në momente të caktuara, e në situata të veçanta, kjo zhurmë bëhet kaq intensive, sa të duket se orkestrohet nga një dorë e padukshme.
Një tjetër fenomen i spikatur është edhe “përdorimi i shkujdesur i historisë”? Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë ta përdorësh historinë pa kurrfarë kriteri shkencor, thjesht duke marrë furnizim nga ato magazina të mëdha rrëfimesh që afrojnë mediat, duke kryer më pas aksione që në thelb janë vetëm dekontekstualizacione të fakteve historikë. Ose, duke u shtirur me të drejtën se çdo fakt historik mund të krahasohet me çdo fakt tjetër, të arrish të formulosh analogji false. Analogjia, në vetvete, është një mekanizëm që shkenca historike e pranon, por që nga ana tjetër nënvizohet të përdoret në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të zbatuar mbi kriteret shumë të rrepta të vërtetësisë së historisë. Në një kohë kur nëpër debate të tillë publikë televizivë apo nëpër ligjëratat e përveçme gazetore, serviret vetëm njëra pjesë e së vërtetës, ndoshta ajo që nevojitet në atë moment, dhe mbahet e errët pjesa tjetër. Ose, falë kësaj ideje vërtet të pagjetur të “transportimit” të historisë nëpër sallonet televizivë, një palë thotë fjalën e vet, të nesërmen i përgjigjet pala tjetër, pastaj vijojnë kundërpërgjigjet e në fund rezultati është një zallamahi e pafund, ose në rastin më të mirë një “ndeshje në barazim”, siç i intereson drejtuesit apo organizatorit të ndeshjes.
Por më e keqja, në të gjithë këtë “suitë” interpretative, është fakti i shtrembërimit të nocionit të historisë. Historia nuk është një tryezë ku luhet ping-pong a një fushë ku luhet tenis. Ajo s‘mund të jetë as edhe një opinion, por një shkencë, natyrisht jo një shkencë ekzakte, por sidoqoftë një shkencë që afrohet më shumë me shkencat sociale. Ndërkohë, elementi karakterizues i mediave sot tek ne, është pikërisht ai i transformimit të historisë në një fushim opinionesh, që lidhet drejtpërdrejt me shtrembërimin tjetër të madh që ka karakterizuar jetën shqiptare: atë të shndërrimit të historisë nëpërmjet përdorimit mediatik dhe të instrumentalizuar të saj, në një terren të luftës politike, madje shpesh herë në terrenin e vet kryesor. Në një kohë kur për rishikimin dhe “ndërtimin e impianteve” jetëgjatë historikë, nevojiten rregulla, nevojiten metoda shkencore dhe teknika të përpunimit të tyre. Kush nuk i zotëron këta tre elementë, nuk mund të bëjë histori.
E këtu do të qe me vend të bënim edhe një nënvizim. Materia primare e çdo historiani është dokumenti. “Pa dokumente nuk ka histori”. Na e kanë mësuar teoricienët pozitivistë francezë të viteve 1800 këtë gjë. Mirëpo dokumentet nuk mjaftojnë, sepse dokumentet lipset t’i trajtosh në bazë të një metodologjie të caktuar, që të vijojë ndarjen, seleksionimin e tyre në autentikë dhe jo, për të stabilizuar hierarkinë midis dokumenteve. E kjo arrihet në bazë të një rregulli të caktuar, në bazë të një kriteri të caktuar, pra ka nevojë për një teknikë të caktuar.
Nëse e paraqesim si një orvatje për të shkruar historinë, në mënyrë të shtruar (me rregulla, metodologji e teknika), qoftë edhe provokative, duke u shqetësuar më tepër për nivelin më të lartë të mundshëm të dëftueshmërisë dhe ndershmërisë profesionale, ajo është diçka vërtet e pëlqyer, por shumë pak e praktikuar në shtypin dhe televizionin tonë. Pasi në të vihet re një lloj divulgacioni i një profili shumë të ulët, i arritur shpesh me ndihmën edhe të intelektualëve, aspak të interesuar për seriozitetin e misionit të rishkrimit të historisë, aspak të yshtur nga impulsi njohës i së vërtetës. Tradita e madhe metodologjike pozitiviste na ka mësuar se historia lind nga parashtrimi i një pyetjeje, nga shtrimi i një problemi dhe dëshira për të kuptuar,dhe për të njohur. Por për fat të keq ky parim, në ping-pongun tonë televiziv dhe në tam-tamin gazetaresk është kthyer për së prapthi. I ashtuquajturi historian divulgator nuk niset nga diskutimi i atij problemi që vërtet e shqetëson a për të cilin kupton se ka një errësirë që mund të qartësohet. Niset nga kërkesa e atyre interesave mediatike që lipset të prodhojë sa më shumë tituj, sa më shumë tymnaja provokimesh historike, fshehur pas një korace audience të rreme dhe popullariteti veç në dukje, por në thelb negativ.
Pra, vërtetë ka mjaft përdorime publike të historisë, të cilat mund të konsiderohen si të pashmangshme, përderisa angazhojnë të gjitha ato agjenci kulturë-formuese që veprojnë në shoqërinë aktuale, që nga muzeumet, shkollat, shtëpitë Botuese, mediat e specializuara, madje deri dhe tek historianët profesionistë që i drejtohen mediave, për divulgimin e një vepre. Dhe, është e pamundur për studiuesin që të shmangë në mënyrë absolute që historia të dalë nga vendet e caktuara të kërkimit - Akademia, Institutet, Shoqatat e ndryshme shkencore - madje, mund të jetë e shëndetshme për të zgjerimi i debatit interpretativ me këta agjentë - siç ka ndodhur në disa debate, mbi tema të veçanta historike të dala nga botime të specializuara librash shkencorë historikë, ku niveli i saktë i shtrimit të çështjeve dhe niveli i lartë i diskutimit të tyre, ka përfshirë në debat shtresa të gjera të shoqërisë civile, duke prodhuar kështu një demokratizim të ndërgjegjes historike dhe një stimul, për vetë historianët, që të arrijnë të punojnë e të pyesin në mënyrë të re mbi temat e së shkuarës dhe së tashmes. Pra, në përgjithësi nuk duhet dënuar, por duhet vigjiluar herë pas here mbi objektivat dhe mënyrat e përdorimit publik të historisë.
Tek e fundit, duhet të kuptojmë se historia dhe debatimi i saj janë një e drejtë e paalienueshme e qytetarëve të çdo vendi, që falë përdorimit të keq që mund t’i bëhet si më sipër, u anashkalohet dhe u mohohet këtyre qytetarëve. Ja, pse ka ardhur koha që të fillojmë të ngremë e të ndërtojmë në ndërgjegjen tonë kolektive, idenë se shkrimi i saktë i historisë sonë nuk është vetëm një orvatje e ndershme dhe e guximshme intelektuale drejt së vërtetës, e nëpërmjet këtij procesi edhe një ndihmesë e fortë në përcaktimin e identitetit tonë etniko-kulturor, në mënyrë që historia të mos përfaqësojë vetëm një vullnet shkencor e intelektual, por në radhë të parë një faktor të përligjur dinjiteti, për të qenë të barabartë mes të barabartëve, ose ndryshe, midis atyre që i kanë dhënë udhë që në epokat më të lashta kësaj Evrope, së cilës ne sot po kërkojmë t’i bëhemi pjesë. Ka ardhur koha, pra, që ta shohim historinë si vullnet përfaqësimi dhe dinjiteti, që ta fitojmë këtë të drejtë, madje dhe ta reklamojmë atë botërisht. Mirëpo që misioni i rishkrimit të historisë, t’ia arrijë këtij qëllimi sublim, duhet të gjejë para së gjithash mënyrat se si të aktivizojë mekanizmat kritikë kundra rreziqeve që përmendëm, të tillë si propagandimi politik, divulgacioni historik, diletantizmi kërkimor, e kështu me radhë.