Meta: Socialistët bojkotuan bojkotin e Ramës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e ka konsideruar protestën e djeshme të PS-së si bojkotin e bojkotit, duke deklaruar se as vetë socialistët nuk e mbështesin politikën e vjetër. Në mbledhjen e Komitetit drejtues të LSI-së, Meta tha se integrimi i vendit ka mbetur peng i lidershipit të Partisë Socialiste. “Bojkoti i bojkotit që u vu re dje, jo vetëm nga qytetarët shqiptarë dhe të kryeqytetit, por edhe nga vetë anëtarët e PS, tregon se vetë socialistët në radhë të parë nuk mund të mbështesin një politikë shumë të vjetër, e cila kërkon ta kthejë Shqipërinë 10 vjet mbrapa, e cila është provuar që nuk funksionon dhe vjen kundër vete aspiratave të anëtarëve të PS dhe gjithë opozitarëve për integrimin evropian të vendit, apo liberalizimin e vizave”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së njëkohësisht dhe zv.kryeministër i vendit, i kërkoi PS dhe lidershipit të saj të marrin të gjitha përgjegjësitë që i takojnë për të kontribuar në proceset integruese të vendit. “Dështimi në realizimin e kësaj përgjegjësie nuk është gjë tjetër veçse rezultat i mendësisë anti-shtet, anti-institucion, që ka lidershipi i kësaj force politike. Ndaj ne shprehim keqardhjen dhe për veprime të tilla, të cilat janë sa absurde aq edhe qesharake, si mitingu i djeshëm, i cili bëhej para zyrës së Sali Berishës, por në fakt ishte miting kundër Ilir Metës dhe kundër LSI-së. Prandaj na vjen keq për iniciativa të tilla, të cilat ia humbasin seriozitetin opozitës dhe njëkohësisht cenojnë një dimension shumë të rëndësishëm për demokracinë në vend sepse vendi ka nevojë për një opozitë serioze”, u shpreh Meta. Kryetari i LSI-së i bëri sërish dje apel opozitës të vijë në Parlament. “Ne i ftojmë me shumë qetësi që të vijnë në institucione, që të respektojnë kuadrin kushtetues të vendit, që të kontribuojnë për të forcuar debatin brenda institucioneve, në radhë të parë brenda Parlamentit”, u shpreh Meta. Gjithashtu po dje LSI nis dhe analizat në të gjithë degët e saj për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa KDK ka bërë dhe disa zgjedhje brenda forumit më të lartë të saj, si nënkryetarë dhe anëtarë të kryesisë së LSI-së. Lefter Koka dhe Edmond Haxhinasto u zgjodhën dje nga KDK nënkryetarë të LSI-së, ndërsa Monika Kryemadhi Sekretare organizative e saj, Edmond Panariti kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar. Si pjesë e koalicionit qeverisës, Meta i kërkoi përfaqësuesve të kësaj force përgjegjshmëri dhe korrektësi në përmbushjen e detyrave që ata kanë marrë dhe do të marrin në qeverisje. “Unë nuk do të pajtohem dhe do të distancohem nga çdo rast, ku përfaqësues të LSI-së nuk do të jenë korrekt në raport me ligjin, në raport me detyrën, në raport me transparencën që duhet të sigurojë vendimmarrja e çdo drejtuesi dhe në të gjitha rastet, ku do të cenohet imazhi i LSI për interesa të ngushta, apo korruptive”, u shpreh kreu i LSI-së.
Zgjedhjet e reja në LSI
Edmond Haxhinasto, nënkryetar
Lefter Koka, nënkryetar
Edmond Panariti, kryetar i KDK
Monika Kryemadhi, Sekretare Organizative
Prof.Shezai Rrokaj, anëtar kryesie
Leondard Beqiri, anëtar kryesie
Edmond Hoxha, anëtar kryesie
Nasip Naço, anëtar kryesie
Matilda Merxhani, anëtar kryesie
Bujar Hasa, anëtar kryesie
Pjerin Xhuvani, anëtar kryesie
Qemal Elezi, anëtar kryesie