E Diel, 1 Nëntor 2026

Austria: Bojkoti nuk është zgjidhja,politika në Kuvend

 

Genc Mlloja

Bojkoti nuk është zgjidhja. Puna politike duhet bërë brenda Parlamentit, jo jashtë tij. Deklarata u bë në Tiranë nga Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, gjatë një interviste pas takimeve me drejtuesit kryesorë të vendit. Kreu i diplomacisë së Vjenës vlerësoi koalicionin mes Berishës dhe Metës, teksa vlerësoi deklaratat e Kryeministrit për bashkëpunimin me Serbinë.
Ju patët një ditë të ngarkuar në Tiranë të enjten e kaluar. Cilat ishin disa nga momentet më të rëndësishme të vizitës suaj?
Ne patëm shumë bisedime. Unë takova Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe kolegun tim, Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta. Gjithashtu pata rastin të bisedoj me Ministrin e shtetit Genc Pollo dhe Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Për më tepër unë zhvillova një takim edhe me udhëheqësin e opozitës Edi Rama. Bisedova me personalitete të të dy krahëve: të qeverisë dhe te opozitës. Unë mendoj se vizita ishte një rast i mirë për të përfituar një përshtypje në vend, lidhur me gjendjen dhe zhvillimet në Shqipëri. Ishte interesante për mua të dëgjoja rreth ambicieve dhe planeve të Shqipërisë për vitet e ardhshme. Gjithashtu, ne trajtuam çështje të marrëdhënieve të dyanshme. Ne jemi shumë të interesuar që të organizojmë ndërmarrje së bashku dhe të sjellim investitorë në Shqipëri. Është e qartë se ne u përqendruam veçanërisht mbi çështje evropiane, sikurse janë përparimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe hapat e mëtejshëm, sa i përket liberalizimit të vizave. Sipas mendimit tonë, kjo vizitë ka qenë shumë produktive dhe e dobishme. Unë gjithashtu pata mundësinë të paraqisja qartë qëndrimin tonë dhe të shpjegoja pikëpamjen e BE-së.
Ju përmendët çështjen e liberalizimit të vizave që në Shqipëri është fjala e fjalëve dhe thatë se janari i ardhshëm nuk është data kur Shqipëria do të përfshihet në këtë projekt. Liberalizimi i vizave ka qenë diçka e premtuar gjatë fushatës së fundit elektorale nga autoritetet shqiptare. Cili ishte reagimi i tyre për këtë?
Unë mendoj se duhet të jemi realistë. Nuk do të ishte korrekte që thjeshtë të vija këtu dhe të bëja premtime boshe. Unë e di fort mirë se liberalizimi i vizave do të ishte një shenjë e mirëpritur nga qytetarët shqiptarë, se BE-ja po u afrohet më tepër. Por duhet të jetë e qartë se të gjitha kushtet duhen plotësuar, sikurse janë pasaportat biometrike ose dokumentet e sigurisë. Në këtë aspekt shumë hapa duhen ndërmarrë. Përmirësim i mëtejshëm i luftës kundër krimit të organizuar është i një rëndësie të veçantë. Unë mendoj se është realiste të thuhet se Shqipëria ka nevojë të tregojë më tepër përparim. Në rast se të gjitha kushtet plotësohen, ne mund të jemi në gjendje të ndërmarrim hapin tjetër konkret mbi liberalizimin e vizave për Shqipërinë nga mesi i vitit të ardhshëm.
Sipas jush, në çfarë fushash Austria mund ta ndihmojë Shqipërinë në këtë drejtim?
Ne jemi gati të bashkëpunojmë me Ministrinë e Brendshme, në mënyrë që të ndihmojmë Shqipërinë të plotësojë këtë objektiv, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar. Është një Memorandum i Mirëkuptimit, i cili mund të nënshkruhet shumë shpejt. Ai do të jetë një hap konkret përpara.
Shkëlqesia juaj, ju përmendët gjatë një konference shtypi me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ilir Meta se politika shqiptare duhet të ketë një qëndrim të bashkuar rreth çështjeve themelore, si për shembull çështjen e BE-së. Ju gjithashtu, takuat udhëheqësin e opozitës, Edi Rama. Si reagoi Rama ndaj një qëndrimi të tillë, në një kohë kur partia e tij ka bojkotuar Parlamentin dhe po kërkon disa kushte lidhur me zgjedhjet e kaluara parlamentare?
Për mua ishte e dobishme të kisha një takim të drejtpërdrejtë me Edi Ramën, në mënyrë që të mësoja një përshtypje konkrete lidhur me çfarë po ngjet. Unë u thashë të gjithë partnerëve se nëse ata duan të mbështesin rrugën e Shqipërisë drejt Evropës, ata duhet të japin siguri se partitë kryesore politike në Shqipëri e provojnë këtë duke punuar së bashku. Bojkoti nuk është zgjidhja. Puna politike duhet bërë brenda Parlamentit, jo jashtë tij. Por në fund të fundit është vendimi i tij (Edi Ramës) dhe një vendim i partisë së tij se si duan të procedojnë.
A ju tha gjë Rama se çfarë priste t’i plotësohej nga maxhoranca? 
Po, ai ma shpjegoi pozicionin e tij. Por nuk më takon mua ta paraqes atë për publikun.
Ju takuat një qeveri të re në Shqipëri: të forcave të djathta dhe të majta me Sali Berishën dhe Ilir Metën, si lojtarët kryesorë të kësaj qeveri. Cili është mendimi i juaj për këtë lloj koalicioni?
Unë mendoj se ata janë duke punuar shumë mirë së bashku. Isha në një pritje të dhënë nga Ilir Meta, ku ishte i pranishëm edhe z. Sali Berisha. Ilir Meta tha në fjalimin e tij se ata po punonin më mirë së bashku se sa e kishin pritur. Kështu që unë mendoj se kjo është një shenjë pozitive për një qeveri të re, e cila duhet të përballojë shumë sfida.
Sikurse ju thashë në fillim, një ditë është shumë pak kohë për të vizituar Shqipërinë. Megjithatë ju zgjodhët qytetin verior të Shkodrës si ndalesën e dytë. Çfarë ka të veçantë në këtë zgjedhje?
Së pari, Shkodra është një qytet i bukur, i vendosur pranë një liqeni të mrekullueshëm. Ne shkuam atje të vizitojmë shkollën austriake. Ishte tepër impresionuese për mua të shikoja se të gjithë nxënësit flisnin perfekt gjermanisht dhe ne patëm një diskutim të lezetshëm atje. Së dyti, ne shkuam të shikojmë projektet e ujësjellësve, që janë një shembull i mirë i ndihmës austriake të zhvillimit për Shqipërinë. Austria ka shpenzuar më shumë se 7 milionë euro për këto lehtësira. Ky është një ndër projektet që është i veçantë dhe ndihmon me të vërtetë njerëzit. Sikurse e dini, Shqipëria është një ndër vendet tona prioritare, për zhvillimin e bashkëpunimit dhe ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar.
Austria është shumë e interesuar dhe e përkushtuar për çfarë ngjet në Ballkan. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, vizitoi Kosovën pak ditë më parë. Disa politikanë, veçanërisht diplomatë të lartë rusë, kanë reaguar ndaj një deklarate të tij duke nënkuptuar Shqipërinë e Madhe, gjë që është përgënjeshtruar nga Berisha. Si i shikoni këto zhvillime në raport me Shqipërinë dhe Kosovën?
Sikurse e dëgjova nga Kryeministri Sali Berisha, vetë kjo është thjeshtë një thashetheme. Nuk bëhet fjalë fare për “Shqipërinë e Madhe”. Përkundrazi, unë dëgjova të enjten se Berisha është duke planifikuar të bashkëpunojë më ngushtë me Serbinë. Kjo është një shenjë shumë pozitive.
Ka pasur një takim midis Ilir Metës dhe kolegut të tij serb, Vuk Jeremic…
Unë mendoj se gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ne jemi avokatë të fortë të Ballkanit dhe do të vazhdojmë të jemi aktivë të angazhuar në rajonin fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›