Kutitë, Rama: Mblodhëm 10 mijë firma
Aristir Lumezi
PS do bojkotojë zgjedhjet e pjesshme në bashki dhe komuna. Kryetari socialist tha dje se opozita do të intensifikojë bojkotin e saj, duke e shtrirë atë dhe në zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen më 15 nëntor.“Do i propozoj Asamblesë për mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor të pjesshëm, i cili nuk do të ishte tjetër vetëm një zgjatim i procesit zgjedhor të deformuar të 28 qershorit”, tha Rama. Një ditë pas protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryetari i PS-së Edi Rama falënderon të gjithë qytetarët që u bashkuan për të protestuar për hapjen e kutive të votimit dhe leximin e votës së 28 qershorit dhe hetimin parlamentar të zgjedhjeve. “Protestat sapo kanë filluar dhe ato do të vazhdojnë dhe do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Në javën që fillon do të ketë një protestë tjetër, në një qytet tjetër të Shqipërisë, gjë që do ta bëjmë të ditur nesër”, tha Rama në një konferencë për shtyp nga ambientet e jashtme të selisë rozë. Rama informoi se procesi i mbledhjes së firmave u iniciua spontanisht nga një grup mbështetësish të PS-së dhe u mor përsipër të koordinohet nga PS. “Vetëm dje në spontanitet të plotë numri i firmave, të paktën deri në momentin kur u informova, kishte kaluar 10-mijëshin. Kështu jemi në kushtet kur me lehtësi më të madhe mund të bëjmë mbledhjen e firmave për të çuar më pas në Parlament apelin kushtetues për hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve” - informoi kryetari i PS-së. Më tej ai u shpreh i bindur se nisma do të shtrihet në të gjithë qytetin dhe nuk do të kufizohet në vetëm 20 mijë. “Besoj se kjo shifër mund të jetë arritur tashmë” theksoi Rama. Kreu socialist ritheksoi dje se kërkesa kryesore e opozitës është hapja e kutive përmes një hetimi parlamentar. “Ne duam që të bëjmë një hetim parlamentar. Ne duam që të bëjmë një transparencë të plotë në sytë e popullit shqiptar për atë që ka ndodhur. Duam ta bëjmë këtë përmes një komisionin hetimor parlamentar, që nuk kontrollohet nga Sali Berisha, i cili në fakt është i akuzuar numër Një për gjithë këtë proces të sakatuar dhe të nxjerrë jashtë standardeve dhe padyshim të gjithë mekanizmat që ne duam të hetojmë kanë lidhje drejtpërdrejtë me Sali Berishën”, u shpreh kryetari socialist.