Legalizimet, Memia: Gati paratë për 580 ish-pronarë
Fabiola Çela
Gati fondi për kompensimin e ish-pronarëve trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Në një prononcim për gazetën kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia, u shpreh se agjencia ka gati fondin për kompensimin e 580 ish-pronarëve. Fondi i vënë në dispozicion të ish-pronarëve arrin në 1.6 miliardë lekë. Sipas kreut të ALUIZNI-t aktualisht ka përfunduar hartimi i dosjeve për 5,100 pasuri dhe së shpejti do të kalojnë për miratim në qeveri. Sipas tij, deri më tani nga procesi i legalizimit janë arkëtuar 2.5 miliardë lekë, por një pjesë e këtyre parave do të shkojë për pushtetin lokal ashtu siç e parashikon edhe ligji për legalizimin e ndërtimeve informale. Ndërsa pjesa tjetër e fondit do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve.
Procedurat
Për të gjitha ndërtimet informale që janë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokën e pronarëve të ligjshëm, ekspertët e ALUIZNI-t kryejnë matjet në terren dhe pas kësaj përgatisin dosjet përkatëse. Pas kësaj dosjet e hartuara nga ALUIZNI dërgohen për miratim në qeveri. Në këtë moment fillon e përgatitet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili konsiston në kalimin e pronësisë, pra kjo sipërfaqe toke i kalohet në pronësi ndërtuesit të ndërtimit informal, për t’u bërë e gatshme për të plotësuar lejen e legalizimit dhe më pas kartelën e pronësisë. Me daljen e vendimit përgatitet fatura sipas sipërfaqes. Çdo qytetar duhet ta likuidojë atë pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature paraqitet te noteri përfaqësuesi i ALUIZNI-t dhe qytetari që ka ndërtuar. Bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. Pra, Agjencia e Legalizimit pasi jep lejen e legalizimit, kryen edhe plotësimin e kartelës së pronësisë, kartelë e cila dërgohet edhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Pra, në momentin që qytetarit i publikohet emri në listat e miratuara nga qeveria, atëherë ai shkon e merr faturën e vlerës së truallit pranë zyrave të ALUIZNI-t dhe pasi kryen pagesën ai duhet të nënshkruajë aktin noterial. Pas kësaj ALUIZNI i dorëzon lejen e legalizimit dhe në të njëjtën kohë që merret leja e legalizimit agjencia dërgon edhe dokumentet pranë hipotekës”, shprehen drejtuesit e Agjencisë.
Pagesa
Të gjithë ata që janë në proces privatizimi mund të paguajnë deri në 80 për qind të shumës së detyrimit me letra me vlerë. Pjesa tjetër, 20 për qind e shumës do të duhet të paguhet me para. Kjo është pjesa që i shkon pushtetit vendor për urbanizimin e këtyre zonave informale. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, vendimi parashikon që edhe ata që kanë bërë tashmë pagesën, mund të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë ALUIZNI-t, duke dorëzuar kundërvlerën e pagesës me bono privatizimi apo letra me vlerë, do të marrin mbrapsht paratë e paguara. Ndërsa për të gjithë ata që janë në proces, do të duhet të përcaktojnë në dokumentacionin e tyre edhe mënyrën e pagesës, pra me para apo me letra me vlerë. Gjithmonë deri në 80 për qind të vlerës. Të gjitha kompetencat për legalizimin e ndërtimeve informale i ka Agjencia e Legalizimit. Duke qenë se njësitë e qeverisjes vendore i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore, të parashikuara për kryerjen e procedurave të legalizimit të ndërtimeve informale, qeveria vendosi që ALUIZNI do të kryejë të gjitha procedurat e evidentimit në terren dhe do të përgatisë raportin e gjendjes faktike dhe shqyrtimin për legalizim të ndërtimeve informale.
5100 ndërtime
informale do të miratohen së shpejti në Qeveri. ALUIZNI ka përfunduar përgatitjen e dosjes dhe së shpejti Qeveria do të miratojë legalizimin e tyre.
580 ish-pronarë
do të kompensohen. ALUIZNI ka gati fondin prej 1.6 miliardë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale.
2.5 miliardë
lekë janë arkëtuar deri më tani nga procesi i legalizimit të ndërtimeve informale. Një pjesë e tyre do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve, pjesa tjetër i kalon pushtetit lokal.