Kercenimet e Kadriovskit Rama takon Kryeprokuroren

Kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka takuar dje Kryeprokuroren pas kërcënimeve të mbërritura në selinë rozë nga Daut Kadriovski, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike dhe i kërkuar nga disa shtete.
Takimi ka zgjatur rreth 30 minuta dhe gjatë kësaj kohe mësohet se është diskutuar për çështjen “Kadriovski”, i cili shantazhoi dhe shpifi disa ditë më parë ndaj deputetit socialist Erion Braçe dhe ndaj vetë kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se Prokurorja e Përgjithshme e informoi kreun e PS-së se organi i akuzës ka filluar hetimet për këtë çështje në bazë të denoncimit ndaj këtij shtetasi për “shpifje për shkak të detyrës”.
Ndërkohë në takim janë diskutuar nëse Daut Kadriovski ka qenë më parë në prokurori dhe përgjigjja e Ina Ramës ka qenë se askush nga stafi i saj nuk e ka takuar dhe ka marrë ndonjë material prej tij. Zyrtarisht thuhet se të dyja palët kanë rënë dakord për një bashkëpunim të ngushtë me njëra-tjetrën, ku të dhënat e përfituara nga PS-ja t’i serviren grupit hetimor.
DenoncimiVizita e parë e Edi Ramës në organin e prokurorisë ka qenë për marrjen e informacioneve rreth shantazhit që i është bërë partisë që drejton nga një vrasës dhe trafikant droge. “Ujku i drogës”, Kadriovski, ka dërguar një CD ku kërcënon krerë dhe deputetë të opozitës. Rama dhe Braçe akuzohen për trafik dhe vrasje. Kërcënime edhe për politikanët në Kosovë dhe Maqedoni. Mësohet se Dauti ka postuar në adresa politikanësh një video-intervistë, ku akuzon thuajse të gjithë ata që kanë qenë në pushtet në vitet 2001-2002 në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë.
Shqiptaro-maqedonasi Kadriovski i drejtohet nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe, dhe kreut të PS-së Edi Rama, duke i kërkuar që të ndërpresin fushatën e tyre politike kundër qeverisë “Berisha” për aferat e korrupsionit. Në intervistën e tij përmenden gjithfarë emrash të tjerë socialistë të periudhës 2001-2002 si Fatos Nano, Makbule Çeço etj. Ndërkohë në Maqedoni dhe Kosovë i drejtohet Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit të PDK-së dhe Menduh Thaçit, kryetarit të PDSH-së. CD-ja e çuditshme ka mbërritur në Tiranë ditën e hënë më 20 dhjetor. Denoncuesi i këtij shantazhi, Erjon Braçe, deklaroi dy dytë më parë se Kryeministri Sali Berisha në një nga momentet e tij të nervozizmit në Kuvend, paralajmëroi 25 ditë më parë me fjalë krejtësisht të ngjashme CD-në e Kadriovskit. Në pjesën shqiptare të intervistës, Braçe dhe Rama kërcënohen se do bëhet publike një ngjarje ku ata, sipas dërguesit të CD-së, akuzohen për vrasje dhe trafik droge.
CD-jaDeputeti socialist deklaroi se ditën e hënë, pas një mbledhjeje pune këtu në selinë e PSSH, personeli i ka vënë në dispozicion një zarf, shërbyer në selinë socialiste të Shqipërisë nga Posta e Tiranës. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda kësaj kartoline është një CD.
“Nga ana e pasme e së cilës është materializuar ky tekst: ‘Ke 24 orë kohë, ndryshe kanalet televizive do ta publikojnë’. Në fund fare është lënë një numër celulari, që nga prefiksi duket që është numër i Maqedonisë, në fund fare ka emrin Daut Kadriovski. Në përmbajtje të kësaj CD, shtetasi Daut Kadriovski, i njohur për CV e tij kriminale, i kërkuar në më shumë se 13 shtete, i përfshirë në aferat më të ndyra të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ‘dëshmon’ se kryetari i PSSH, Edi Rama, dhe unë personalisht në cilësinë e deputetit, jemi përfshirë në përdorim dhe në trafik droge dhe në fund fare në dy vrasje. Njëri këtu në Tiranë dhe tjetri duke e hedhur nga kati i tretë apo i katërt në Shkup të Maqedonisë. Njëherazi në përmbajtje të kësaj CD-je përmendet gjithë klasa politike shqiptare në rajon”, tha Braçe.