E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërcënimet e Ndreut, fillon gjykimi në Shkallën e Parë

02/03/2005  TIRANË –Pjerin Ndreu, ish-drejtor i policisë së Tiranës, më 17 mars do të ketë përballë shokun e fëmijërisë, Sami Rasha, për të sqaruar rrethanat në të cilat ndodhet. Dje për Ndreun ishte seanca e parë gjyqësore. Akuzohet për veprën penale të "përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike". Në kërkesën për gjykim paraqitur në gjykatë nga prokurori Dritan Reshka, ishte e fiksuar vetëm një thirrje telefonike. "Nuk është mirë që u thua vartësve të tu dhe shokëve të mi, të mos rrinë me Pjerin Ndreun, se do të largohen nga policia. Vendin e punës nuk e ke të përjetshëm. Këtë po ta them si shok". Kjo ishte përmbajtja e mesazhit të dërguar në drejtim të telefonit celular të shefit të SHKB-së, Sami Rasha. Pjerin Ndreu ishte i pranishëm dje në seancë gjyqësore, e në krah mbante avokatin Sajmir Visha. Megjithëse pas ndalimit e më pas arrestimit nga policia, Ndreu u la i lirë, vepra penale për të cilën u akuzua nuk iu pushua. Kjo vepër parashikohet nga neni 275 i Kodit Penal. Pjerin Ndreu akuzohet se me dashje ka dërguar në numrin e celularit të shefit të Shërbimit të Brendshëm në Ministrinë e Rendit Publik, Sami Rasha, një mesazh i konsideruar kërcënues. Vetë Ndreu nuk e ka mohuar faktin se i ka nisur një mesazh Rashës, por, gjithçka ka pohuar se e ka bërë për shkak të shoqërisë së vjetër që kishte me të. Gjithsesi të gjitha pretendimet e palëve do të ngrihen në gjykatë. Ndërkohë, Ndreu, më 18 shtator të vitit të kaluar, ka provuar vetëm dy ditë peshën e prangave në duart e tij. Më pas, ai me vendim të gjyqtarit Agim Bendo, u la i lirë. Ndreu, që nga momenti i ndalimit, ishte i detyruar të paraqitej një herë në javë në zyrën e prokurorit të çështjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›