Asnjë fond dëshmitarëve të krimit të organizuar, kredi për shtëpi punonjësve të zyrës
02/03/2005 Qeveria ka çelur fondet për punonjësit e Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve pranë Ministrisë së Rendit, por mbeten ende pa përkrahje vetë personat që dëshmojnë kundër krimit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë dje se ka disa muaj që kjo zyrë funksionon, por ende nuk ka fonde konkrete për rehabilitimin e vajzave të trafikuara si prostituta, të cilat dëshmojnë kundër tutorëve të tyre. Burimet sqarojnë se janë më shumë se 20 raste të tilla, kur vajza, të cilat kanë qenë të trafikuara, kanë kërkuar mbrojtje, pasi kanë pasur kërcënime të ndryshme për të mos dëshmuar kundër tutorëve të tyre. Mësohet se në të tilla raste, prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët hetojnë këto çështje, u kanë vënë në dispozicion të dëmtuarave numrat e tyre të telefonëve për të kontaktuar në çdo rast kur ato kanë presion për të mos folur. Burimet shprehen se, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë përsipër edhe transportimin e tyre nga rrethet për në gjykatë gjatë sigurimit të dëshmisë së tyre si provë, në rastet kur ato kanë pasur kërcënime të ndryshme nga familjarët e ish-tutorëve. Gjithashtu, në raste të veçanta u është paguar edhe hoteli ku kanë qëndruar së bashku me familjarët e tyre, si dhe është bashkëpunuar me policitë rajonale për sigurimin e jetës së tyre, kur ka pasur sinjalizime për presione të ndryshme ndaj tyre. Por, ndonëse kjo nismë për ndihmë është ndërmarrë disa herë nga vetë Krimet e Rënda në kuadër të hetimit, Prokuroria ende nuk ka çelur një fond konkret për rehabilitimin e tyre. Ndërsa burimet shprehen se janë çelur fonde në ndihmë të punonjësve të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, detyra e të cilëve është të përcaktojë se kush nga viktimat e trafikut, të infiltruarit, apo të penduarit e mafias, kanë nevojë të mbrohen dhe të rehabilitohen nga shteti. Ndërkaq mësohet se këtyre zyrtarëve u janë vënë në dispozicion kredi për blerjen e shtëpive apo autoveturave. Burimet sqarojnë se për vetë dëshmitarët e krimit të organizuar, porkurorët, hetuesit apo gjyqtarët, të cilët janë më të rrezikuar pasi kanë kontakte të drejtpërdrejta, nuk ka ndonjë fond të dhënë nga Qeveria për sigurinë e jetës së tyre. E. Hoxha