Kërcënimet e Shegushe Ligorit, me pamjen e një tigri prej letre
Grevistja më e devotshme e Edi Ramës, deputetja e Elbasanit Shegushe Ligori deklaroi në një konferencë për shtyp se kryeparlamentarja Topalli, merr sot për sot rrogën më të lartë shtetërore në vend. Ky konstatim është i pavërtetë sepse mjafton të lexosh dokumentin e ILDKP-së dhe e kupton se Shega ia ka fut komplet kot.
Them se ia ka fut “si kau pelës” sepse pikë së pari rrogën më të madhe në vend e ka si zakonisht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili merr rreth dyfishin e rrogës së presidentit, apo kryeministrit. Rroga e Fullanit rezulton të jetë 6. 298.248 lekë në vit nga paga dhe shpërblimet nga posti i tij si guvernator. I dyti renditet presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili vlerësohet për punën dhe rolin e tij në shtetin shqiptar, me 250 mijë lekë të rinj. Pas tij vendin e ka kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me 2.201.149 lekë, një rrogë më e lartë edhe se e kreut të qeverisë, Sali Berisha, i cili zë vendin e katërt, duke u paguar me 2.149.592 lekë.
Duke i krahasuar me pagat e politikanëve në botë, rrogat e udhëheqësve të shtetit shqiptar janë të ulëta, përpara atyre të Ballkanit mbeten në nivele mesatare. Mirëpo nuk mund të thuash të njëjtën gjë për pasuritë multi-milionere që kanë deputetët socialistë Qefalia, Kola, Ylli, Gashi, Peza, Ahmetaj, Gaçi, Jaku, Kodheli, Abazi dhe Toçi. Ata kanë një pasuri dinamike për vitin 2009: rreth 60% e deputetëve socialistë kanë pasuri nga 1-10 milionë euro. Aq sa e kanë bërë liderin e tyre të brohorasë “Përtej së majtës...” pasi xhepat e fryrë të socialistëve të rinj janë shumë larg nga parimet e solidaritetit, të rishpërndarjes së parasë publike në mënyrë të barabartë, etj. E majta shqiptare i ka humbur idetë socialiste - që tradicionalisht synonte përkrahjen e shtresave në nevojë - për të përqafuar tejskajmërisht hiper-kapitalizmin. Nga ekstremi në ekstrem, tipike e Edi Ramës. Këtë e di mirë Shega Ligri, por përpiqet të bëjë diversion sa të mundet duke larguar fokusimin e medies nga deklarimi i saj i pasurisë në Institutin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku deputetja Ligori rezulton të jetë një nga pjesëtarët e një trualli me sipërfaqe 6070 metra katrorë. Jo pak por 6 dynymë që nuk janë kthyer në vlerë monetare.
Sigurisht nëpër biseda informale vlon debati mbi pasuritë jo pak të vogla të Shegës, e cila karakterizohet nga bashkëpronësi të shumta, ku të bie në sy fakti se në asnjë nga këto bashkëpronësi nuk është bashkëshorti i saj. Interesant tek pasuria e deputetes Ligori është fakti se bashkëshorti i saj nuk disponon asnjë pasuri të paluajtshme apo të luajtshme përveç pagës së vet. Një pagë qesharake në krahasim me pajën që i ka sjellë gruaja.
Ndër të tjera deputetja Ligori ka 50 përqind të një shtëpie trekatëshe me sipërfaqe 334.16 metra katrorë të ndërtuar në vitet 2001-2002 me një kosto ndërtimi 80 milionë lekë, pa mobilje. Vlera e kësaj shtëpie nuk është vlerësuar nga deputetja Ligori.
Siç duket në një panoramikë të thjeshtë, nuk mund të thuash se Shega Ligori s’është e lidhur dhe e dashuruar tej mase pas ndërtimeve dhe betonarmesë. Për të mos thënë që Shega çelikun e partisë e ka në gjak dhe këtë gjë e ka ditur ta shfrytëzojë në maksimum, pasi ajo ka kuptuar shumë mirë dellin e Edi Ramës për të shtrirë sa më shumë gjeografinë e kandidatëve nga bota e ndërtimit në prag të zgjedhjes së kandidatëve për bashkitë, dhe ta zgjerojë edhe për qytetin e Elbasanit, me një kryebashkiak ndryshe nga Qazim Sejdini. Ky i fundit cilësohet se është në listën e “zezë” të personave që nënvizohen se i takojnë epokës para Edvin Ramës në krye të PS-së.
Prandaj shkuan aq keq zgjedhjet për kreun e qarkut të Elbasanit ky rryma Rama u përplas dukshëm më kandidatë të Kryetarit të Bashkisë.
Prandaj nuk është çudi që shfaqja e Shega Ligorit ka një kuptim simbolik të dyfishtë, jo për Kryetaren e nderuar të Parlamentit, por direkt për Qazim Sejdinin pasi është vëllai i Shegës, Veli Kazazi që synon t’i rrëmbejë kandidaturën për zgjedhjet lokale të vjeshtës.