E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Idetë për ndryshim të kufijve janë të këqija dhe destabilizuese

Kryeministri Hashim Thaçi ritheksoi të hënën se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë si dy shtete të pavarura për çështje teknike, porse presidentit serb, Boris Tadiç sikurse në Srebrenicë duhet të përkulet edhe para viktimave që Serbia i bëri në Kosovë dhe t’i kërkoj falje popullit të Kosovës. Kreu i ekzekutivit bëri këto deklarata gjatë një paraqitje për media, me ç’rast e theksoi edhe një herë qasjen e Kosovës për politikë të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Serbinë. “Natyrisht që dëshirojmë të kemi raporte të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë si me të gjitha shtetet tjera të rajonit në kuadër të kësaj nuk janë refuzuese për Prishtinën takimet për t’i diskutuar çështjet teknike, që kërkojnë zgjidhje një herë e përgjithmonë në bazë të standardeve perëndimore. Por paraprakisht presidenti Tadiç ashtu siç u përul dje në Srebrenicë duhet të përulet edhe para viktimave dhe vrasjeve që i ka bërë shteti i Serbisë në Kosovë, t’i kërkoj falje popullit të Kosovës, institucioneve të Kosovës, botës demokratike”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress. Por kryeministri Thaçi ka dhënë porosi për presidentin serb që t’i arrestojë kriminelët e luftës, siç është Ratko Mlladiq, duke thënë se Serbia nuk mund të ketë integrime pa i dorëzuar kriminelët e luftës. “I bashkëngjitëm edhe mesazhit të lidershipit botëror drejtuar thirrjes për Tadiçin që t’i arrestoj edhe kriminelët e luftës siç është Mlladiqi, sepse edhe Mlladiqin e lirë në kryeqytetin e Serbisë dhe perspektivë euroatlantike Serbia nuk mund të ketë”, është shprehur ai. Sipas tij, Kosova ka rrugën e vet integruese dhe kjo është një rrugë e sigurt, pasi që po ndërtohet një shtet bazuar në standardet dhe vlerat më të larta demokratike. Ndërkohë shefi i Qeverisë së Kosovës ka ritheksuar se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, ndërsa këto ide i ka quajtur si të këqija dhe që mund të sjellin destabilizim për tërë rajonin. “Në punojmë bashkërisht me të gjithë miqtë tanë ndërkombëtar, çdo veprim i yni është i koordinuar dhe harmonizuar ngushtë me shtetet e BE-së dhe SHBA-në. E kam theksuar dhe ritheksoj, çdo ide pretenduese për ndryshim të kufijve është një ide e keqe që nënkupton destabilitetin e plotë të rajonit”, ka thënë Thaçi. Ndër të tjera kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se pret një etapë të re të zhvillimit e njohjeve për shtetin e Kosovës pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që pritet të publikohet këtë verë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›